“Të shpëtova nga burgu për korrupsion”, Trump shan Netanyahun: I çmendur, prandaj po e urrejnë Izraelin

Nga Xhevahir Qardaku
2 Qershor 2026, 12:36 | Bota

Një telefonatë e me tone të ashpëra midis Donald Trump dhe Benjamin Netanyahut thuhet se e ka dekurajuar Tel Avivin nga sulmi i planifikuar në Bejrut të Libanit.

Ndërsa Presidenti amerikan zyrtarisht e përshkroi atë si një moment të përzemërt në të cilin të dy udhëheqësit ranë dakord për hapat e mëtejshëm, burime për mediat ndërkombëtare, raportojnë se lideri amerikan fjalë për fjalë e shau kryeministrin izraelit.

Axios raporton se Trump e quajti vazhdimisht Bibin “të çmendur” dhe e akuzoi për mosmirënjohje, duke i kujtuar se ai “e mbajti larg burgut”. Kjo ishte një referencë për mbështetjen e tij gjatë gjyqit të Netanyahut për korrupsion. Trump thuhet se më pas tha: “Je plotësisht i çmendur. Çfarë dreqin po bën? Po të shpëtoj. Tani të gjithë të urrejnë. Të gjithë e urrejnë Izraelin për shkak të kësaj”.

Ndërkohë, lufta mes Izraelit dhe Libanit nuk ka ndalur, shkruan A2. Hezbollahu mori përgjegjësinë për një sulm ndaj një tanku izraelit Merkava herët këtë mëngjes si dhe për sulme të tjera mbrëmë, pasi Donald Trump premtoi ndërprerjen e armiqësive midis dy palëve.

Sipas agjencisë zyrtare libaneze të lajmeve Ani, sulmet ndodhën pasi bombardimet ajrore izraelite shënjestruan disa fshatra në jug të vendit, dhe një “shpërthim shumë i fuqishëm” u dëgjua në Debbine.

Më herët, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu paralajmëroi se ushtria do të sulmonte Bejrutin nëse Hezbollahu do të hapte zjarr ndaj objektivave izraelite, duke shkaktuar eksodin e një pjese të popullsisë së kryeqytetit.

Gjatë telefonatës, Donald Trump thuhet se parandaloi një përshkallëzim të gjerë në qytet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos