Tre burra të armatosur kanë hapur zjarr në drejtim të një salle koncertesh në zonën e Moskës. Lajmin e bëjnë të ditur agjencitë shtetërore ruse, TASS dhe Novosti.
Mediat ruse raportojnë për të paktën 40 viktima dhe 100 të plagosur.
“Njerëz të maskuar, të paktën tre të tillë, u shfaqën në katin e parë të Crocus City Hall dhe hapën zjarr me armë automatike,” raportoi RIA Novosti të premten, duke cituar korrespondentët në vendin e ngjarjes.
RIA Novosti raporton se burrat e maskuar hodhën një granatë e cila u bë shkak për nisjen e një zjarri në sallën e koncerteve.
Rreth 100 njerëz u evakuuan nga ndërtesa nga zjarrfikësit, raportoi TASS. Sipas Drejtorisë kryesore të Ministrisë së Situatave të Emergjencave të Federatës Ruse, ekipet e shpëtimit po punojnë ende për t’i zbritur njerëzit nga çatia.
Më shumë se 50 ekipe ambulancash u dërguan në Krasnogorsk, një qytet në rajonin e Moskës, për të ofruar kujdes mjekësor për të gjithë ata që do të kenë nevojë, tha Ministria e Shëndetësisë e Rajonit të Moskës për RIA Novostin. (A2 Televizion)