Irani dorëzohet përballë presionit amerikan. Presidenti Donald Trump njoftoi se liderët politikë të Teheranit kanë kërkuar negociata lidhur me protestat më të mëdha antiqeveritare dhe kërcënimeve me ndërhyrje ushtarake nga Shtetet e Bashkuara.
“Dje, udhëheqësit e Iranit telefonuan, ata duan të negociojnë. Mendoj se janë të lodhur duke u rrahur nga Shtetet e Bashkuara. Irani dëshiron të negociojë. Po, ne mund të takohemi me ta. Dua të them, një takim po caktohet. Por mund të na duhet të veprojmë për shkak të asaj që po ndodh para takimit. Por një takim po caktohet”, tha Trump, shkruan A2.
Pavarësisht gatishmërisë së Iranit për negociata, presidenti amerikan refuzon që të heqë nga tryeza opsionin e ndërhyrjes ushtarake ndaj regjimit të Ajatollahut: “Janë vrarë disa njerëz që nuk duhej. Këta janë të dhunshëm. Nëse i quani udhëheqës, nuk e di nëse janë udhëheqës, apo thjesht ata sundojnë përmes dhunës, por ne po e shohim shumë seriozisht, ushtria po e shqyrton dhe po konsiderojmë disa mundësi shumë të forta. Do të marrim një vendim”.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, pretendon se protestat mbarëkombëtare “janë bërë të dhunshme dhe të përgjakshme për t'i dhënë një justifikim” Trumpit për të ndërhyrë, raporton Al Jazeera. Ai tha në një takim me diplomatë të huaj se dhuna ishte përshkallëzuar gjatë fundjavës, por se “situata tani është nën kontroll të plotë”.
Araghchi deklaroi se interneti, i cili ishte ndërprerë për rreth 86 orë, do të rivendosej së shpejti në Iran, por se kjo do të bëhej “në koordinim me autoritetet e sigurisë”. Protestat në Iran kanë vazhduar prej dy javësh: ato filluan në kryeqytetin Teheran për shkak të vështirësive ekonomike dhe më pas u përhapën në të gjithë vendin me kërkesa për rrëzimin e autoriteteve fetare.
Sipas OJQ-së amerikane Hrana, afërsisht 545 persona janë konfirmuar të vrarë gjatë ndërhyrjes së autoriteteve, ndërsa 580 të tjerë janë ende të zhdukur. Gati 11 mijë janë arrestuar. Sipas burimeve të Iran International, rrjetin televiziv opozitar iranian me seli në Londër, numri i të vdekurve është të paktën 2,000. (A2 Televizion)