
Italia është përfshirë këtë të premte në një mobilizim kombëtar, me grevë të përgjithshme 24-orëshe dhe protesta në mbi 100 qytete, së cilës do t’ i bashkohen edhe studentët. Greva, e thirrur nga CGIL (Konfederata e Përgjithshme Italiane e Punës) dhe sindikatat e bazës COBAS, prek sektorin publik dhe privat, ndërsa pritet të shkaktojë probleme në transport, shkolla, administratë, shëndetësi dhe industri.
Protesta zhvillohet kundër projektligjit të buxhetit, pasi sindikatat kërkojnë masa konkrete për mbrojtjen e fuqisë blerëse të pagave dhe pensioneve, rinovimin e kontratave, kompensimin e humbjeve nga taksimi mbi të ardhurat dhe më shumë fonde për shëndetësinë dhe arsimin publik.
Sindikatat kundërshtojnë gjithashtu rritjen e shpenzimeve ushtarake dhe pasigurinë në tregun e punës.
Protestat do të mbahen në disa prej qyteteve kryesore të vendit. Në Romë, sekretari i përgjithshëm i CGIL, Maurizio Landini, do t'i bashkohet protestës, e cila nis në orën 09:30 nga Piazza Vittorio Emanuele II dhe përfundon në Via dei Fori Imperiali.
Në Milano, punonjësit do të mblidhen në orën 09:00 në Piazzale Cadorna, për të marshuar drejt Piazza della Scala, ndërsa studentët do të nisen në orën 09:30 nga Largo Cairoli drejt Piazza XXV Aprile.
Protesta të rëndësishme priten gjithashtu në Napoli, ku marshimi nis në orën 09:00 nga Piazza Mancini drejt Piazza Matteotti, si dhe në Torino, Bolonjë, Gjenova, Firence dhe Palermo.
Greva shoqërohet edhe me marshime studentore, të cilat pritet të ndikojnë në mbarëvajtjen e mësimit në shumë qytete të Italisë. (A2 Televizion)