Tërhiqet Trump, Shtëpia e Bardhë: SHBA nuk do të financojë rindërtimin e Gazës

Nga Erjon Dervishi
5 Shkurt 2025, 23:04 | Bota

Duket se administrata e Donald Trump është tërhequr nga plani për marrjen në zotërim të situatës në Gaza.

E para që ka reaguar pas fjalimit të pashpjegueshëm të Trump është zëdhënësja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavi. Në një prononcim për mediat në SHBA, ajo tha se Presidenti Donald Trump nuk është zotuar të vendosë trupa amerikane në terren në Gaza si pjesë e propozimit të tij për marrjen e enklavës palestineze nga SHBA.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë u tha gazetarëve se presidenti beson se Shtetet e Bashkuara duhet të përfshihen në rindërtimin e Gazës "për të siguruar stabilitetin në rajon", shkruan A2.

"Kjo nuk do të thotë çizme në tokë në Gaza", tha ajo, duka ua faturuar përgjegjësinë për Gazën Egjiptit dhe Jordanisë, aleatët më besnik të SHBA në rajoninn e Lindjes së Mesme. 

Justifikime për deklaratën e Trump u përpoq të bënte edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio nga Guatemala.

Ai foli për një rindërtim të Gazës me ndihmën e SHBA dhe jo një okupim të plotë të territorit: "Ajo që tha Presidenti Trump dje është një njohje e sa vijon. Gaza është dëmtuar rëndë. Nëse shikoni pamjet ajrore, shihni se çfarë po ndodh atje. Miliarda dollarë do të kërkohen për rindërtim janë të mëdha. Disa zona janë bërë dje të pabanueshme tani dhe për të ardhmen e parashikueshme. Rindërtimi i asaj zone, gatishmëria për të ndërhyrë, për të pastruar mbeturinat, për të pastruar vendin nga të gjitha shkatërrimet që janë në tokë, për ta pastruar atë nga të gjitha këto municione të pashpërthyera. Kjo është oferta që ai ka bërë. Por ndërkohë, ata do të duhet të jetojnë diku. Tani, detajet e kësaj, nëse do të pranohej, do të duhej të përpunoheshin midis shumë vendeve partnere. Është një ofertë unike”.

Duket se plani fillestar për zhvendosjen e banorëve të Gazës është bërë nga njeriu hije i Donald Trump, dhëndri i tij, Jared Kushner. Gjatë një diskutimi në mars 2024 në Universitetin e Harvardit, Kushner, parashikoi propozimin e presidentit që SHBA të merrte kontrollin e Gazës së shkatërruar nga lufta dhe ta kthente atë në një "rivierë të Lindjes së Mesme" pas zhvendosjes së palestinezëve diku tjetër. Kushner vuri në dukje se bregdeti i Gazës mund të ishte shumë i vlefshëm "nëse njerëzit do të fokusoheshin në një lloj ndërtimi të mjeteve të jetesës", duke argumentuar se fondet e shpenzuara për tunele dhe armë mund të ishin përdorur më mirë për "arsim apo inovacion". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos