Autoritetet meksikane kanë arrestuar një nga figurat kyçe të kartelit të drogës Sinaloa në qytetin verior të Culiacan, duke i dhënë një tjetër goditje kësaj bande që ka mbjellë dhunë dhe qindra viktima në vend.
Jose Angel Canobbio, i njohur me emrin e koduar “El Guerito”, ka qenë krahu i djathtë i Ivan Archivaldo Guzman, një nga djemtë e liderit të burgosur të kartelit, Joaquin “El Chapo” Guzman.
Forcat e sigurisë në Meksikë e kanë cilësuar këtë arrestim si një goditje të rëndësishme për kartelin Sinaloa, pasi Canobbio ishte përgjegjës për sigurinë e Ivan Guzman, duke e bërë atë një person kyç në strukturat e grupit kriminal.
Ky zhvillim ka ndodhur disa orë pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës e përfshinë kartelin Sinaloa në listën e Organizatave të Huaja Terroriste, një hap që sipas administratës Trump, do të mundësojë një luftë më të fuqishme kundër organizatave kriminale të mëdha. (A2 Televizion)