4.2 mln euro për koncertin e Kanye West, PD kallëzon në SPAK Ramën dhe Gonxhen

Nga A2 CNN
13 Korrik 2026, 11:16 | Politikë

4.2 mln euro për koncertin e Kanye West,  PD kallëzon në SPAK

Ashtu sikurse ka paralajmëruar pak ditë më parë grupi parlamentar i PD-së kallëzoi sot në SPAK kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Kulturës e Turizmit Blendi Gonxhe për veprat penale “shpërdorimi i detyrës” dhe “shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, në bashkëpunim, lidhur me financimin 4.2 milion euro të koncertit të Kanye West.

Në kallëzimin penal të depozituar nga grupi parlamentar i PD theksohet se “kuadri ligjor në fuqi ka sanksionuar detyrimin e autoriteteve shtetërore që, në ushtrimin e kompetencave dhe përgjegjësive të tyre, të përdorin me eficencë dhe efektivtet burimet financiare shtetërore, duke respektuar parimet e qëndrueshmërisë së financave publike, barazisë para ligjit dhe konkurrencës së lirë. Në këtë drejtim, Kushtetuta, Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, ashtu si dhe ligjet e dala në zbatim të tyre, kanë sanksionuar ndalimin e çdo sjellje apo veprimi të institucioneve shtetërore, të cilat cënojnë në vetvete Buxhetin e Shtetit, lirinë e pjesëmarrjes dhe barazinë e palëve në ofrimin e mallrave dhe shërbimeve, pavarësisht nëse përdoren ose jo për qëllime publike. Rezulton se mbi bazën e një operatori ekonomik privat, shtetasi Blendi Gonxhja, me detyrë Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit ka iniciuar procedurën për miratimin e aktit normativ, me qëllim që këtij operatori t’i akordohej një fond prej 4.2 milionë Euro, duke shfrytëzuar fondin rezervë të Buxhetit të Shtetit. Ky i fundit, referuar dispozitave ligjore të mësipërme, mund të përdoret vetëm për shpenzime të cilat nuk njihen dhe janë të pamundura të parashikohen, siç mund të jenë rastet e fatkeqësive natyrore, përmbytjeve, tërmeteve, epidemive dhe emergjencave civile. Në rastin konkret, nuk jemi përpara asnjërit prej këtyre rasteve, pasi koncerti muzikor ishte një ngjarje e planifikuar në kohë, dhe operatori ekonomik privat kishte mundësi që të aplikonte me përpara për të përfituar një fond të caktuar për realizimin e këtij aktiviteti, në përputhje me procedurat ligjore. Duke vepruar kështu, shtetasit Edi Rama dhe Blendi Gonxhja nga njëra anë ka cënuar fondin rezervë, që përbën një grupeve kryesore të shpenzimeve të Buxhetit të Shtetit, ashtu si edhe ka cënuar parimet e konkurrencës së lirë dhe mosdiskriminimit, pasi një mundësi e tillë nuk ka qenë e parashikuar për operatorët e tjerë ekonomikë, që po ashtu mund të aplikonin për të përfituar mbështetje financiare për realizimin e këtij koncerti apo të ngjashëm me të.”.

“Nga sa më sipër, është e qartë se shtetasi Edi Rama, me detyrë Kryeministër i Shqipërisë, dhe shtetasi Blendi Gonxhja, me detyrë Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin sa i përket shfrytëzimit të fondit rezervë për të mbështetur një aktivitet muzikor privat, duke dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, e në këtë kuptim veprimet e tyre përmbushin elementin e anës objektive të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Nga ana tjetër, të dy këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shkelur rregullat sa i përket lirisë së pjesëmarrjes dhe realizimit të barazisë së shtetasve në tendera publik, me qëllim krijimin e avantazheve dhe privilegjeve të padrejta për një operatori ekonomik të caktuar, duke përmbushur kështu elementin e anës objektive të veprës penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar neni 258 i Kodit Penal” - thuhet në kallëzimin e depozituar në SPAK.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos