Trump: Armëpushimi në Rripin e Gazës i qendrueshëm

Nga A2 CNN
11 Tetor 2025, 16:02 | Bota

Trump: Armëpushimi në Rripin e Gazës i qendrueshëm

Presidenti i SHBA-së Donald Trump u shpreh me besim, se marrëveshja ndërmjet Izraelit dhe Hamasit terrorist është e qendrueshme. Egjipti fton kancelarin gjerman Merz në "ceremoninë festive".

Pas dy vjetësh luftë të premten (10.10.2025) në mesditë në Rripin e Gazës hyri në fuqi marrëveshja e armëpushimit ndërmjet Izraelit dhe organizatës islamiste palestineze Hamas. Presidenti i SHBA-së Donald Trump konsideron se faza e parë e planit të tij të paqes prej 20 pikash është në rrugë të mbarë. "Mendoj, se (armëpushimi) do të jetë i qendrueshëm. Të gjithë janë të lodhur nga luftimet", tha ai para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë në Uashington.

Presidenti i SHBA-së do të flasë përpara Knesetit

Trumpkonfirmoi gjithashtu, se të dielën (12.10.2025) do të udhëtojë për Izrael dhe Egjipt. Në Izrael ai do të mbajë një fjalim përpara parlamentit, Kneset. Kryetari i Knesetit Amir Ohana e ka ftuar zyrtarisht Trumpin për këtë. Në platformën online X ai shkruan: "Izraeli pret presidentin e paqes".

Faza e parë e planit të paqes të Trump parashikon që brenda 72 orësh të lirohen të 48 pengjet e mbajtura nga Hamasi, që klasifikohet nga shumë shtete si organizatë terroriste. Vetëm 20 prej pengjeve janë ende gjallë. Trump deklaroi përpara gazetarëve, se pengjet do të lirohen të hënën (13.10.2025).

Izraeli ka siguruar në marrëveshje, se do të lirojë rreth 2000 të burgosurit palestinezë. Ndër ta janë rreth 250 të dënuar me burgim të përjetshëm.

Pas lirimit të pengjeve dhe të të burgosurve palestinezë në një fazë të dytë negociatash duhet të krijohen kushtet për sigurimin afatgjatë të paqes. Se kur do të fillojnë këto bisedime është ende e hapur. Një tërheqje e plotë të trupave izraelite nga Rripi i Gazës, që kërkon Hamasi, sipas planit të Trumpit është parashikuar, nëse një trupë ndërkombëtare stabilizimi do të kujdeset për sigurinë në vend.

Ndërkohë shumë palestinezë nga Rripi i Gazës kanë filluar të kthehen në vendin e tyre.

Ceremoni festive në Egjipt

Presidenti i SHBA-së shtoi më tej në konferencën e shtypit, se të hënën në Egjipt do të takojë "shumë" drejtues shteti, për të diskutuar mbi të ardhmen e Rripit të Gazës. Takimi pritet të zhvillohet në Kajro.

Së fundi Trump pati deklaruar, se do të udhëtojë për në Egjipt, për të marrë pjesë në ceremoninë "e nënshkrimit zyrtarisht" të marrëveshjes ndërmjet Izraelit dhe Hamasit. Presidenti i Egjiptit Abdel Fattah al-Sisi me rastin e marrëveshjes së arritur me mundim planifikon një ceremoni festive në qytetin bregdetar Sharm El-Sheik. Këtu përfaqësuesit e palëve të luftës me ndërmjetësuesit ndërkombëtar kanë negociuar indirekt që nga e hëna e kaluar (6.10.2025).

Merz i ftuar në Egjipt

Kreu i shtetit të Egjiptit Al-Sisi ka ftuar edhe kancelarin e Gjermanisë Friedrich Merznë këtë ceremoni. Sipas të dhënave të zyrës presidenciale në Kajro të dy politikanët kanë biseduar të premten në telefon lidhur me detajet e planit të Trumpit për Gazën.

Nga qarqet qeveritare gjermane mësohet, se kancelari e ka pranuar me mirënjohje ftesën. "Plane konkrete për udhëtimin ende nuk mund të komunikohen për momentin, por është planifikuar një pjesëmarrje e mundshme."

Zëdhënësi qeveritar Stefan Kornelius vuri në dukje, se Merz gjatë telefonatës ka falenderuar al-Sisin për ndërmjetësimin e Egjiptit për fundin e luftës dhe ka vlerësuar "shërbimin e tij të mirë si palë organizatore e bisedimeve për paqen". "Kancelari theksoi, se Gjermania bashkë me Egjiptin do të angazhohen për lirimin e pengjeve, për një armëpushim të qendrueshëm, për ndihmat humanitare dhe rindërtimin e Gazës", bën të ditur Kornelius.

Thirrje Izraelit të lejojë ndihmat humanitare në Rripin e Gazës

Programi i OKB-së për Ushqimin në Botë (WFP) i ka bërë thirrje ndërkohë qeverisë së Izraelit të mundësojë furnizimin e ndihmave për rreth dy milionë palestinezët në Rripin e Gazës. Izraeli kontrollon të gjitha kalimet kufitare në Rripin e Gazës në bregdetin e Mesdheut. "Për njerëzit në Gazë ky moment është me rëndësi mbijetese", tha për rrjetin redaksional RND drejtori i degës gjermane të programit WFP, Martin Frick.

Në pikëkalimet kufitare presin të futen në Rripin e Gazës automjetet me rreth 60.000 ton ushqime, ndërsa rreth 100.000 ton ndihma të tjera janë në rrugë e sipër në rajon. Me këtë sasi mund të furnizohet Gaza për rreth tre muaj, nëse lejohet aksesi. Vetëm në muajin e parë WFP mund të furnizojë rreth 1,6 milionë njerëz me bukë, miell dhe ushqime./ DW (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos