Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara mund të godasin javën e ardhshme centrale energjetike dhe ura në Iran, nëse Teherani nuk rikthehet në tryezën e negociatave. Sipas tij, zyrtarët amerikanë i kanë bërë të qartë Iranit se duhet të arrijë një marrëveshje.
"Do t'i ruaj objektivat e energjisë për në fund, por në fund do t'i arrijmë ato. Do t'i godasim shumë fort sonte, do t'i godasim fort nesër në mbrëmje... Dhe pastaj javën tjetër do të bëhet shumë keq për ta sepse javën tjetër do të vijnë termocentralet, javën tjetër do të vijnë urat. Do t’i rrëzojmë të gjitha termocentralet e tyre. Do t’ua rrëzojmë urat nëse nuk ulen në tryezën e bisedimeve dhe nuk negociojnë” tha Trump në një intervistë me Fox Neës të martën në mbrëmje.
Nga ana tjetër, zëvendësministri i Jashtëm iranian, Kazem Gharibabadi, deklaroi se presioni ushtarak dhe ekonomik i SHBA-së nuk do ta detyrojë Iranin të negociojë, duke theksuar se Uashingtoni po gabon nëse mendon se bllokada dhe sulmet do ta ndryshojnë qëndrimin e Teheranit.
“Nëse SHBA-të mendojnë se duke ashpërsuar masat kundër nesh, veprimet ushtarake dhe bllokadën ekonomike, do të kthehemi në negociata, po bëjnë një gabim”, tha zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi, për televizionin shtetëror.
Ndërkohë, Garda Revolucionare iraniane ka kërcënuar se mund të ndërpresë rrugë të tjera të rëndësishme të transportit energjetik në rajon, duke deklaruar se eksportet e energjisë do të jenë "ose për të gjithë, ose për askënd".
Komanda Qendrore e SHBA-së thotë se ka përfunduar valën e fundit të sulmeve ndaj Iranit, ndërsa mediat iraniane raportojnë shpërthime në qytetet jugore dhe në ishujt pranë bregdetit të saj, si dhe përleshje midis forcave amerikane dhe iraniane në Ngushticën e Hormuzit.
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit thotë se, në përgjigje të sulmeve ajrore amerikane, sulmoi objektet ushtarake amerikane në Bahrein, Kuvajt dhe Jordani gjatë natës, duke pretenduar dëme të rënda në selinë e Flotës së Pestë të SHBA-së në Bahrein.
Analistët vlerësojnë se Irani mund të përdorë aleatët e tij Huthi në Jemen për të bllokuar ngushticën Bab el-Mandeb, një korridor kyç për transportin e naftës dhe tregtinë globale.
Sipas të dhënave të transportit detar, përpara hyrjes në fuqi të bllokadës amerikane të mërkurën, shumica e anijeve që kaluan përmes Ngushticës së Hormuzit ishin të lidhura me eksportet iraniane, përfshirë një supertanker me rreth 2 milionë fuçi naftë.
Paralelisht, SHBA vendosi një paketë të re sanksionesh ndaj rrjetit të transportit detar të Mohammad Hossein Shamkhani, të cilin Uashingtoni e akuzon se ndihmon Iranin të shmangë sanksionet mbi eksportet e naftës. Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi se janë sanksionuar mbi 200 individë, kompani dhe anije të lidhura me këtë rrjet, me synimin për të goditur infrastrukturën financiare që, sipas SHBA-së, mbështet aktivitetet e Iranit dhe kërcënon sigurinë detare ndërkombëtare. (A2 Televizion)