
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se “nuk do ta kishte aspak problem” nëse Jensen Huang do të rikthehej në detyrën e tij, ndërsa aleatë të ish-drejtorit ekzekutiv të Nvidia-s po bëjnë thirrje për rikthimin e tij në krye të kompanisë.
Huang dha dorëheqjen nga drejtimi i gjigantit të çipave të inteligjencës artificiale javën e kaluar, pas zbulimit të dy marrëdhënieve jashtëmartesore. Njëra prej tyre dyshohet se ishte me një grua të dyshuar për spiunazh në favor të Kinës, ndërsa tjetra thuhet se me një prej punonjëseve të kompanisë.
Situata ka shkaktuar një krizë në një prej kompanive me vlerën më të madhe në botë, e cila luan një rol kyç në industrinë e inteligjencës artificiale dhe zgjerimin e saj të vrullshëm.
Ndërkohë, drejtues të tjerë të industrisë së teknologjisë, mes tyre Elon Musk i SpaceX dhe Tim Sweeney, drejtori ekzekutiv i Epic Games, kompanisë që ka krijuar videolojën Fortnite, kanë mbështetur një fushatë që i kërkon bordit drejtues të Nvidia-s: “Riktheni Jensenin”.
Të dy ishin mes më shumë se 175 mijë personave që nënshkruan një letër të hapur, ku i kërkohet bordit të rikthejë Huang në detyrë, ndërsa zhvillohet një hetim i brendshëm për çështjen.
Presidenti Trump shprehu qëndrimin e tij për të ardhmen e Huang të hënën, duke thënë se “nuk do ta kishte aspak problem” nëse ish-drejtuesi do të rikthehej në postin e tij.
“Besoj se ndoshta një mësim është më i rëndësishëm se një tjetër, por sigurisht që nuk do ta kisha problem ta shihja këtë”, u tha Trump gazetarëve teksa po largohej nga Shtëpia e Bardhë.
(A2 Televizion)