Miratohet buxheti i Vlorës për vitin 2027, fondi rritet me 67.1%

Nga Edi Ruçi
16 Nëntor 2026, 17:04 | Aktualitet

Miratohet buxheti i Vlorës për vitin 2027, fondi rritet me 67.1%

Me 30 vota pro dhe 8 kundër, Këshilli Bashkiak i Vlorës ka miratuar projektbuxhetin e Bashkisë për vitin 2027, në vlerën 75 miliardë e 824 milionë lekë. Në krahasim me një vit më parë, buxheti shënon një rritje prej 67.1%.

Mbledhja e zhvilluar këtë të hënë nisi në orën 10:00 dhe përfundoi rreth orës 16:00, pas disa orësh diskutimesh dhe debatesh mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës.

Në fjalën e saj, kryetarja e Bashkisë Vlorë, Brunilda Mersini, theksoi se një vëmendje e veçantë në buxhet i kushtohet arsimit dhe përmirësimit të infrastrukturës arsimore, përmes rikonstruksionit të shkollave, kopshteve dhe çerdheve. Ndër prioritetet e tjera përfshihen transporti publik dhe ndërhyrjet në blloqet e banimit.

Sipas ndarjes buxhetore, 40.99% e fondit parashikohet për investime dhe shërbime të përgjithshme administrative, 17.13% për arsimin dhe 12.58% për pastrimin e qytetit.

Gjatë mbledhjes nuk kanë munguar debatet dhe kundërshtitë nga opozita, e cila ka votuar kundër projektbuxhetit. Megjithatë, në përfundim të diskutimeve, buxheti i Bashkisë Vlorë për vitin 2027 është miratuar me 30 vota pro dhe 8 kundër. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos