Vajza misterioze e Kim Jong-un rikthehet në skenë, rindezen dyshimet për trashëgimtarin e pushtetit

Nga A2 CNN
16 Dhjetor 2025, 16:32 | Bota

Vajza misterioze e Kim Jong-un rikthehet në skenë, rindezen dyshimet

Çdo gjë që lidhet me Korenë e Veriut dhe udhëheqësin e saj, Kim Jong-un, mbetet e mbështjellë nga misteri. Kjo vlen veçanërisht për vajzën e tij, e cila konsiderohet e vetmja pasardhëse e njohur publikisht e liderit koreanoverior. Kim Jong-un është i martuar me Ri Sol-ju dhe besohet se çifti ka tre fëmijë, por vetëm vajza e tyre ka dalë në skenën publike.

Zyrtarisht, autoritetet e Koresë së Veriut nuk kanë konfirmuar as emrin dhe as moshën e saj. Megjithatë, sipas vlerësimeve, ajo mund të jetë rreth 12 vjeçe dhe quhet Kim Ju-ae. Për herë të fundit ishte parë gjashtë muaj më parë, gjatë inaugurimit të një kompleksi luksoz turistik në Wonsan-Kalma, në bregdetin lindor të vendit.

Këtë javë, ajo është shfaqur sërish në një ceremoni publike, këtë herë në inaugurimin e një kompleksi të ri industrial dhe tregtar në periferi të Phenianit. Pamjet janë publikuar nga agjencia shtetërore KCNA dhe tregojnë Kim Ju-ae pranë prindërve të saj, një prani e rrallë në aktivitete civile, pasi ajo zakonisht shfaqet në evente ushtarake, si parada apo testime raketore, shkruan A2 CNN.

Publiku e pa për herë të parë në nëntor të vitit 2022, gjatë testimit të raketës balistike Hwasong-17. Më vonë, në shtator, ajo shoqëroi Kim Jong-un në Pekin për paradën ushtarake me rastin e 80-vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, çka nxiti spekulime për rolin e saj si pasardhëse e mundshme e regjimit.

Megjithatë, shërbimet inteligjente të Koresë së Jugut dhe analistë ndërkombëtarë theksojnë se nuk përjashtohen skenarë të tjerë, duke sugjeruar se pasardhësit e mundshëm mund të mbahen larg vëmendjes publike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos