Tirana uron presidenten e Kosovës, autoritetet në Shqipëri vlerësojnë akademiken Justina Shiroka-Pula

Nga A2 CNN
7 Tetor 2026, 11:41 | Politikë

Të nesërmen e zgjedhjes së akademikes Justina Shiroka-Pula në krye të Shtetit të Kosovës, institucionet dhe politikanë Shqipëri në sinkron uruan Presidenten e re për detyrën që sapo ka nisur.

“Urime të përzemërta znj. Justina Shiroka-Pula për zgjedhjen Presidente e Republikës së Kosovës! Në çdo sfidë dhe në çdo hap drejt së ardhmes evropiane, Shqipëria dhe Kosova do të jenë bashkë. Urime Presidente! Zoti e bekoftë Kosovën dhe shqiptarët kudo ku janë!”, uroi Bajram Begaj, President i Republikës së Shqipërisë.

Në urimin e tij, Kryeministri Rama nënvizon momentin historik të këtij votimi.

“Urime të përzemërta akademikes së mirënjohur, zonjës Justina Shiroka - Pula, për zgjedhjen Presidente e Republikës së Kosovës, në një fazë sfiduese për Kosovën dhe në një kohë sfiduese për krejt rajonin tonë e për vetë Europën. Mbarësi e sukses për ju dhe Kosovën zonja Presidente!”, uroi  Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë.

Sali Berisha bashkë me urimet, ndau me ndjekësit e tij edhe një profil të shkurtër të Presidentes së Kosovës.

“Zonja Justina Shiroka Pula është një akademike e shquar, Kryetare e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si dhe ish-ministre në qeveri të mëparshme të Kosovës. Me këtë rast, në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë, i uroj Presidentes Shiroka Pula sukseset më të mëdha në misionin e saj në krye të Republikës së Kosovës”, uroi Sali Berisha, Kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Justina Shiroka-Pula u zgjodh Presidente e Kosovës me 81 vota pro, në një seancë të jashtëzakonshme të nisur vetëm pak minuta para skadimit të afatit kushtetues. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos