Një episod që duket si i dalë nga një film fantastiko-shkencor, por ka ndodhur realisht në Sorrento të Italisë. Një grua 36-vjeçare është arrestuar pasi vodhi 100 euro nga një bar, por ajo që çuditi më shumë karabinierët ishte zbulimi i një pajisjeje “POS contactless” aktive brenda çantës së saj.
Sipas hetimeve, gruaja – e njohur për precedentë penalë – dyshohet se përdorte këtë pajisje për të kryer mikro-transaksione të padukshme, duke i afruar POS-in pranë çantave apo xhepave të qytetarëve në vende të mbushura me njerëz. Nëpërmjet teknologjisë NFC (komunikim në distancë shumë të shkurtër), ajo mund të përfitonte shuma të vogla si 9 apo 15 euro pa dijeninë e viktimës.
Teknika, e quajtur tashmë “pickpocketing 2.0”, është e njohur në disa vende si Kanadaja apo Britania, por rrallëherë është dokumentuar me prova të qarta në Itali. Pajisja e gjetur ishte lidhur me një llogari bankare në emër të një personi të tretë, duke e bërë më të vështirë gjurmimin e transaksioneve, shkruan A2 CNN.
Kjo metodë funksionon vetëm në një distancë shumë të afërt (1-2 cm), pa nevojë për PIN në pagesat deri në 50 euro. Viktima shpesh nuk e kupton menjëherë që është vjedhur, pasi shumica e këtyre pagesave nuk japin sinjalizime në telefon në kohë reale.
Ekspertët e sigurisë digjitale paralajmërojnë se, ndonëse kjo formë e vjedhjes është teknologjikisht e mundur, ajo nuk është e lehtë për t’u realizuar. Transaksionet janë të gjitha të gjurmuara dhe pajisjet POS janë të regjistruara me të dhëna fiskale. (A2 Televizion)