Më shumë se 300 trupa nga Mbretëria e Bashkuar do të dislokohen në Kosovë për ato që misioni paqeruajtës i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior në Kosovë, KFOR, thotë se janë ushtrime rutinore.
Këto ushtrime do të mbahen nga 18 shtatori deri në fund të tetorit, ka njoftuar KFOR-i nëpërmjet një deklarate, pa dhënë hollësi se në ç’ vend do të zhvillohen ato. Kontingjenti britanik, nga Regjimenti Mbretëror i Jorkshërit, do të kryejë një sërë aktivitetesh stërvitore, së bashku me trupat e tjera të KFOR-it, gjatë dislokimit të përkohshëm të tij, shkruan A2.
KFOR-i ka njoftuar se stërvitjet kanë për qëllim “të testojnë procedurat ekzistuese për dislokimin e shpejtë të trupave shtesë dhe integrimin e tyre në kuadër të misionit".
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë ka bërë të ditur, po ashtu, se stërvitjet do të mbështesin gatishmërinë e KFOR-it “për t’iu përgjigjur zhvillimeve relevante të sigurisë”. (A2 Televizion)