Debati në komision, prokuroria ftohet të hetojë për keqpërdorime në Shëndetësi

Nga Ideal Gola
4 Tetor 2024, 20:28 | Aktualitet

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, u përball me deputetët opozitarë për më shumë se tri orë në Komisionin për Shëndetësi dhe u akuzua për dështim në realizimin e premtimeve në këtë sektor.

Partia Demokratike e Kosovës akuzoi ministrin Vitia se për kohën që drejtoi shëndetësinë nuk arriti të hartojë strategji sektoriale për shëndetësi, ndërsa theksoi se janë bërë abuzime e keqpërdorime me ilaçet dhe abuzime milionëshe në blerje të aparaturave dhe rikonstruksioneve të klinikave, raporton A2 CNN.

“Abuzime e keqpërdorime me barna, të cilët mund ta vlerësojmë krim të organizuar për të mos e quajtur mafia farmaceutike”, u shpreh deputeti i PDK Bekim Haxhiu.

Çmimet e ilaçeve që ndryshojnë nga njëra farmaci në tjetrën pavarësisht se mund të jenë të së njëjtës kompani, u ngrit si shqetësuese edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Ligji për çmimit tavan për produkte medicinale i kemi dhënë përkrahje, ligji është shkelur, nuk janë respektuar afatet kohore është miratuar një listë me të meta dhe kundërthënie të mëdha, është anuluar lista”, tha deputeti i LDK Armend Zemaj, shkruan A2.

Ministri Vitia tha se ligji për unifikimin e çmimeve të ilaçeve është drejt zbatimit ndërsa për akuzat për abuzime ftoi prokurorinë që të hetojë çdo pretendim të deputetëve opozitarë.

“Krejt dërgoni në prokurori edhe unë i bëj ftesë prokurorisë që sa më shpejt të fillojnë me hetimin e secilës lëndë pa përjashtim që ta shohim që ndoshta edhe ndonjë lidhje familjare që mund të del që ju po pretendoni e mund të del nga diku tjetër”, theksoi ministri i Shëndetësisë Arben Vitia.

Gjatë raportimit në komisionin parlamentar, Vitia tha se kanë proceduar 4 ligje dhe 20 akte nënligjore që kanë përmirësuar gjendjen në sektorin e shëndetësisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos