Gripi i shpendëve, Kosova ndalon mishin e pulës nga Brazili

Nga A2 CNN
20 Maj 2025, 13:06 | Aktualitet

Gripi i shpendëve, Kosova ndalon mishin e pulës nga Brazili

Kosova ka vendosur ta ndalojë përkohësisht mishin e pulës dhe produktet e tjera të shpendëve nga Brazili, ka bërë të ditur të martën Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Masa është marrë pasi Brazili konfirmoi të premten shpërthimin e gripit të shpendëve në një fermë, ndërsa tha se po heton raste të tjera të dyshuara, përcjell A2.

Autoritetet kosovare kanë thënë se vendimi për ndalimin e mishit të pulës nga Brazili “synon të mbrojë shëndetin publik dhe të parandalojë përhapjen e mundshme të sëmundjes në territorin e Kosovës”.

Edhe Bashkimi Evropian njoftoi një ditë më parë se Brazilit, eksportuesit më të madh të shpendëve në botë dhe eksportuesi kryesor të mishit të shpendëve në BE, ia ka ndaluar të dërgojë produkte shpendësh dhe mishi në vendet e bllokut.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka bërë të ditur se masa “do të mbetet në fuqi deri në një njoftim të dytë, gjithmonë bazuar në situatën epidemiologjike në Brazil dhe rivlerësimit të rrezikut nga AUV”.

Gripi i shpendëve është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek shpendët dhe, në raste të rralla, mund të transmetohet edhe te njerëzit.

“Megjithëse nuk ka prova që konsumimi i mishit apo vezëve të shpendëve mund të shkaktojë infeksion, mirëpo ndalimi i importit është një masë paraprake për të garantuar sigurinë ushqimore të qytetarëve”, thuhet në njoftimin e AUV-së.

Kosova, vetëm gjatë periudhës janar–prill të këtij viti, ka importuar produkte të mishit të pulës nga Brazili në vlerë prej 13.7 milionë eurosh, nga gjithsej 34.7 milionë euro sa është vlera totale e importit të këtyre produkteve nga të gjitha shtetet gjatë kësaj periudhe.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, vendi ka importuar gjatë 2024-tës produkte të mishit të pulës në vlerë prej 91.8 milionë eurosh nga tregjet ndërkombëtare - ndërsa vetëm nga Brazili mish pule në vlerë prej 30.6 milionë eurosh./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos