Kryeministri i ri serb flet për luftë në Kosovë: Paqja, e pamundur

Nga Xhevahir Qardaku
15 Prill 2025, 20:29 | Aktualitet

I zhytur në letër, lexoi programin e tij qeverisës në Parlament. Kryeministri i ri i Serbisë, Gjuro Matsut, rreshtoi pikat e tij kryesore në një fjalim para deputetëve që të jepte përshtypjen se ishte përgatitur në zyrën e Presidentit Aleksandër Vuçiç.

Ai pretendoi se një nga sfidat më të mëdha të qeverisë së re do të jetë e ashtëquajtura mbrojtje e sovranitetit dhe integritetit territorial në Kosovë, duke vazhduar kështu linjën e gjatë të kryeministrave serbë që e kanë humbur lidhjen me realitetin.

Matsut paralajmëroi vazhdimin e blerjes së ndikimit të Beogradit tek serbët e Kosovës përmes pagave dhe pensioneve, shkruan A2. Ai lëshoi dhe akuza në drejtim të Perëndimit duke pretenduar se po shfrytëzojnë problemet e brendshme të Serbisë, siç tha në Parlamentin e Beogradit, për t’i dhënë “një vrull të ri promovimit të agjendave të njëanshme të institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes së Prishtinës”.

Kryeministri i ri foli dhe për një luftë në disa drejtime me pretendimin për të mbrojtur serbët nga persekutimi dhe shfarosja, me një prej tyre që do të bëhet përmes Listës Serbe pas fitores së mandave të deputetit në Kuvendin e Kosovës: “Ky sukses tregon gatishmërinë e serbëve për një luftë të palëkundur politike dhe qeveria do t'i ndihmojë ata në këtë luftë për të arritur gjithçka që u garanton e drejta ndërkombëtare, veçanërisht Marrëveshja e Brukselit, zbatimin e plotë të së cilës ne do ta mbrojmë vazhdimisht kudo, duke luftuar për mbijetesën dhe të drejtat e popullit tonë në province, ku ekziston një kërcënim i vazhdueshëm se Prishtina do të kryejë në mënyrë të njëanshme dhunë dhe me sponsorizimin e forcës do të përpiqet të arrijë qëllimet e saj”.

Ai la të kuptohet se po pret ndryshime të mëdha në qendrat botërore të pushtetit politik për të ndërmarrë veprime kundër Kosovës. Matsut theksoi se paqja është e pamundur pa drejtësi, teksa pretendoi se do të pranojë që dialogut të zhvillohet i hapur, me ndershmëri dhe pa presion.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos