Aleanca trilaterale në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, midis Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë që u firmos muajin e kaluar në Tiranë, pritet të zgjerohet së shpejti me anëtarë të rinj.
Këtë ka lënë të kuptohet ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, në një intervistë për TRT Balkan nga margjinat e Forumit Diplomatik në Antalia të Turqisë.
Maqedonci ka bërë me dije se një tjetër anëtare e NATO-s do t’i bashkohet aleancës. Bullgaria sipas tij është e gatshme të nënshkruajë marrëveshjen ushtarake, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë që vende të tjera të rajonit të ndjekin hapat e Sofjes zyrtare.
“Kemi marrë një konfirmim nga Bullgaria, e cila ka zhvilluar më herët diskutime me ministrin kroat për mundësinë e bashkimit në këtë marrëveshje trilaterale. Besoj plotësisht se edhe vende të tjera të rajonit, veçanërisht ato që ndajnë vlera dhe interesa të përbashkëta me ne, do t’i bashkohen kësaj nisme. Sepse nuk mjaftojnë vetëm vlerat – duhen edhe interesa të përbashkëta”, deklaroi Maqedonci.
“Dua të theksoj edhe një herë se qëllimi kryesor i kësaj marrëveshjeje është ruajtja e paqes, stabilitetit dhe sigurisë”, shtoi ai. (A2 Televizion)