Janë bërë një vit prej kur Kosova dhe Serbia u dakorduan për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes për normalizim që ndryshe njihet si Marrëveshja e Ohrit.
Përkundër përpjekjeve ndërkombëtare, Prishtina dhe Beogradi vlerësohet se sot janë më larg normalizimit të marrëdhënieve se sa që ishin një vit më parë. Përpjekjet e Serbisë për destabilizim deri në sponsorim të akteve terroristë ndaj Kosovës si dhe veprimet e njëanshme të Prishtinës që acaruan ndërkombëtaret thuhet se dëmtuan procesin.
“Mund të themi që një vit prej asaj marrëveshje në njëfarë mënyrë pothuajse ka shkuar kot, madje jo vetëm që ka shkuar kot por situata është acaruar edhe më shumë, për shkak të veprimeve të njëanshme që janë marrë, sidomos sulmet e Banjskës nga ana e Serbisë që në njëfarë mënyrë e kanë acaruar marrëdhënien mes dy vendeve edhe më shumë që vështirë të flasim për normalizim të marrëdhënieve për aq sa kohë sa ka ndodhur Banjska ose këto veprime tjera që po ndodhin nga ana jonë”, tha analisti Arton Demhasaj.
Analistët mendojnë së marrëveshja është e dëmshme për Kosovën pasi parasheh themelimin e Asociacionit dhe në këmbim nuk merr njohjen e Serbisë.
“I kanë dhënë prioritet kohor në procesin e sekuencimit të procedimit të themelimit të Asociacionit dhe Kosova këtu ka ngul këmbë deri më tash, nuk ka avancuar tutje, edhe prandaj presioni ndërkombëtar më i madh është mbi Republikën e Kosovës dhe si duket partnerët ndërkombëtarë janë të vendosur që të mos vazhdojnë me hapa të tjerë të sekuencimit pa e tejkaluar këtë fazë”, tha analisti Shkodran Ramadani.
Kohë më parë, edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla kishte deklaruar se Marrëveshja e Ohrit nuk ka qenë e mirë për Kosovën por ishte pranuar pasi në tryezë ishin edhe ndërkombëtarët. (A2 Televizion)