
Shirat intensive përgjatë ditës së sotme vijojnë të mbajnë në nivele të larta prurjet në lumenjtë e qarkut Fier. Megjithëse në Memaliaj raportohet për rënie të nivelit të lumit Vjosa, situata në Urën e Mifolit paraqitet krejt ndryshe.
Matjet e fundit tregojnë se Vjosa ka arritur kuotën e 8.2 metrave, duke shënuar një rritje të konsiderueshme, shkruan A2 CNN.
Nëse prurjet vazhdojnë me këtë intensitet, pritet që niveli i lumit të rritet edhe më tej, çka mund të sjellë probleme shtesë në zonat e ulëta, tokat bujqësore përreth, por edhe në banesa.
Autoritetet po monitorojnë nga afër situatën dhe u bëjnë apel të vazhdueshëm banorëve të jenë të kujdesshëm dhe të ndjekin udhëzimet zyrtare. (A2 Televizion)
