Putin: Plani i paqes i SHBA-së mund të jetë 'bazë' për zgjidhjen përfundimtare të paqes

Nga A2 CNN
21 Nëntor 2025, 19:04 | Bota

Putin: Plani i paqes i SHBA-së mund të jetë 'bazë'

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka folur në një takim të Këshillit të Sigurisë Ruse këtë pasdite.

Sipas mediave të huaja, Putin tha se Rusia tani ka marrë planin e paqes prej 28 pikash të SHBA-së për luftën në Ukrainë.

Plani mund të shërbejë si "bazë" për një zgjidhje përfundimtare paqësore, por teksti nuk po diskutohet në detaje me Rusinë, tha Putin, shkruan A2 CNN.

"Ne shohim se pas bisedimeve në Alaska, pati njëfarë pauze nga pala amerikane, dhe ne e dimë se kjo lidhet me refuzimin aktual të planit të zgjidhjes së paqes nga ana e Ukrainës, të propozuar nga Presidenti Trump. Unë besoj se pikërisht për këtë arsye u shfaq një version i ri, në thelb një plan i modernizuar që përbëhet nga 28 pika. Ne e kemi këtë tekst; e morëm atë përmes kanaleve ekzistuese të ndërveprimit me administratën amerikane. Unë besoj se ai mund të shërbejë gjithashtu si bazë për zgjidhjen përfundimtare të paqes", tha Putin gjatë fjalës së tij.

Presidenti rus tha se plani i paqes i propozuar nga Donald Trump u diskutua përpara se të dy të takoheshin në Alaska në gusht.

Rusia konfirmoi se ishte dakord me propozimet e SHBA-së për një zgjidhje gjatë takimit në Anchorage, shtoi ai, shkruan A2 CNN.

Putini tha gjithashtu në takim se Rusia është e gatshme për negociata paqeje, por është gjithashtu e kënaqur me dinamikën aktuale të operacionit ushtarak special. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos