
Zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, pas nisjes së operacionit ushtarak “Epic Fury” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe forcat partnere kundër Irani, lanë bërë që kryeministri i Kosvës Albin Kurti të thërrasë mbledhjen e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurisë.
Në njoftimin e shpërndarë për mediat thuhet se kryeministri Kurti ritheksoi qëndrimin e institucioneve të Kosovës në mbështetje të aleatëve strategjikë, veçanërisht SHBA-së në përpjekjet për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar. Njëkohësisht, Kosova shprehu solidaritet me popullin e Iranit dhe aspiratat e tyre për liri dhe të drejta themelore.
Gjithahstu theksohet se Kosova ka marrë të gjitha masat për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në vend, ndërsa po monitorojnë nga afër situatën dhe implikimet e mundshme për Kosovën dhe rajonin. Autoritetet konfirmuan se janë në komunikim të vazhdueshëm me partnerët strategjikë.
Qytetarëve u është bërë thirrje të qëndrojnë të qetë, të informohen vetëm përmes burimeve zyrtare dhe të mos bien pre e dezinformatave që synojnë destabilizimin e vendit.
Deklarata e plotë e shpërndarë për mediat
Mbahet mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurisë
Prishtinë, 1 mars 2026
Mbrëmë vonë, me kërkesë të Kryeministrit të Kosovës z. Albin Kurti është mbajtur mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurisë, për të diskutuar rreth zhvillimeve të fundit të situatës së sigurisë në Lindjen e Mesme, gjegjësisht zhvillimit të operacionit ushtarak “Epic Fury” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të forcave partnere, kundër Republikës Islamike të Iranit.
Kryeministri Kurti ka ritheksuar qëndrimin e qartë të institucioneve të Republikës së Kosovës se qëndrojnë të palëkundur përkrah miqve dhe aleatëve tanë strategjikë, e në veçanti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në përpjekjet për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar.
Republika e Kosovës, në përputhje me orientimin e saj euroatlantik dhe partneritetin e ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbështet veprimet e ndërmarra nga SHBA-të ndaj objektivave të regjimit të Ajatollahëve në Iran, duke i vlerësuar ato si masa që synojnë parandalimin e përshkallëzimit të mëtejmë dhe kufizimin e kapaciteteve destabilizuese në rajon.
Njëkohësisht, Republika e Kosovës shpreh solidaritetin e saj me popullin e Iranit dhe aspiratat e tyre legjitime për liri, dinjitet dhe të drejta themelore.
Institucionet e Republikës së Kosovës tashmë kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë në Republikën e Kosovës, dhe se janë duke i monitoruar për së afërmi zhvillimet në Lindjen e Mesme, sikurse edhe implikimet e mundshme për Kosovën dhe rajonin. Ne po ashtu jemi në komunikim të afërt dhe të vazhdueshëm edhe me partnerët tanë strategjik.
I bëjmë thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës që të qëndrojnë të qetë dhe të informohen vetëm përmes kanaleve zyrtare dhe burimeve kredibile të informimit, dhe të mos bien pre e dezinformatave dhe propagandës që kanë për synim destabilizimin e vendit dhe krijimin e pasigurisë, tensioneve apo përhapjen e narrativeve kundër shtetësisë dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.
Republika e Kosovës mbetet një partnere e besueshme dhe e përkushtuar e komunitetit euroatlantik dhe do të vazhdojë të kontribuojë në përpjekjet e përbashkëta për paqe, siguri dhe stabilitet global. (A2 Televizion)