PS dhe PD duhet të zhvillojnë mbledhje publike për reformën zgjedhore dhe të dalin me një dokument zyrtar. Këtë u sugjeroi politologu Afrim Krasniqi dy forcave më të mëdha politike, pas paralajmërimit të demokratëve për reformën zgjedhore të përdorimit të vetos nëse nuk pranohen kërkesat e opozitës. Në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN Krasniqi theksoi se deri më tani nuk ka pasur diskutime të mirëfillta dhe transparente në strukturat drejtuese të dy partive. Sipas tij, reformat e mëparshme janë miratuar në momentet e fundit dhe kanë sjellë kryesisht ndryshime të vogla, pa adresuar problemet thelbësore të sistemit zgjedhor.
“E di kush do ishte debati nëse do ishte real? Nëse kryesia e Partisë Socialiste dhe kryesia e Partisë Demokratike do zhvillonin mbledhje publike të tyre për këtë temë dhe do dilnim me një dokument zyrtar. Grupet parlamentare do mblidheshin, do debatonin me detaje dhe do dilnin me një dokument zyrtar. Nuk ka ndodhur kurrë kjo gjë asnjëherë. Jo tani, po as para dy vitesh, as para katër, as para gjashtë, se çdo dy vjet e bëjmë reforma dhe kemi 12 reforma që miratohen sekondën e fundit, disa ndryshime minore”, tha ai në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Ai nënvizon se protestuesit kërkojnë ndryshimin e Kodit Zgjedhor e të sistemit zgjedhor dhe të përfaqësimit politik në vend, ndërsa komisioni i reformës nuk ka as mandatin dhe as vullnetin politik për t'iu përgjigjur këtyre kërkesave.
“Protestuesit kanë kërkuar ndryshim të kodit zgjedhor dhe sistemit zgjedhor dhe përfaqësimit politik në Shqipëri. Ata nuk janë dakord që të hiqen tre komisionerë këtej t'i kalojnë tre komisionerë të palës tjetër. Ata thonë që nuk ju pranojmë ju si klasë politike, si establishment, që jeni mbyllur, emëroni veten, kontrolloni dhe deformoni përfaqësimin politik në Shqipëri dhe komisioni nuk ka as mandat për t'i dhënë përgjigje kësaj gjëje dhe nuk ka as vullnet politik për ta bërë se s'mund ta ketë sepse është kundër vetes”, u shpreh ai në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Për Krasniqin duhet transparencë në financimin e partive dhe burimi i parave që përdoren gjatë fushatave, teksa ngre pikëpyetje mbi emrat e donatorëve.
“Tani do miratojmë paketën për financimin e shtetëror. Financimi shtetëror është qesharak që marrin partitë nga shteti është shumë qesharak. Duhet të jetë 10% të shpenzimeve elektorale. Çfarë do kontrollosh atje? Ku i harxhon partia 33 milion lekë të vjetra. Po i ka të detyryar do të paguajë reklamat, i ka të përcaktuara, ose telefon dhe shpenzime. Pyetja është paratë e zeza ku shkojnë? Kush paguan, kush jep përgjegjësi? Si ndodh kjo gjë? Shikoni Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Lajmi i dytë pas fitores në zgjedhje ishin gjithë lista e donatorëve amerikanë që nga milionerët deri te më të thjeshtët. Çdo njeri që ka dhënë shikon listat e partive kë shënojnë ata. Janë emra fiktivë. Janë gjithë komshinjtë e lagjes, ose militantë pa punë. Asnjë oligark nuk e vendos emrin që unë kam dhënë para partive. Ne dimë që të gjithë japin dhe vetë partitë e tregojnë këtë gjë”, tha ai.
(A2 Televizion)