Partia Socialiste nuk ka interes të ndryshojë sistemin zgjedhor, ndërsa propozimi i PD-së për listat e hapura është përpjekje për të krijuar koalicion me partitë e vogla. Kështu u shpreh në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN politologu Afrim Krasniqi, sipas të cilit, pika më e fortë e PS është sistemi patronazhist, ndërsa propozimi i demokratëve nuk ka mbërritur zyrtarisht në KQZ.
“E gjithë kjo historia tjetër është nuk po quaj teatër po është politik domethënë është tipike politikë Partia Socialiste në thelb nuk ka interes të bëjë asnjë lloj ndryshimi. Ajo është komode me sistemin. Pika më e fortë e saj është sistemi patronazhist dhe ajo që quhet kontrolli përmes shtetit i partisë dhe i burimeve në Shqipëri. Dhe Partia Demokratike në thelb do të bëjë diçka por pa pasur qartësi se çfarë mund të bëjë dhe interesi më i madh i PD-së është që të tërheqë partitë e vogla. Të gjejë një formulë për të tërhequr partie të vogla. Propozimin e listës të hapur e shoh si përpjekje për të krijuar një koalicion në partitë e vogla, i cili është gjysmak sepse nuk bëhet në konferencë shtypi, dërgohet me shkresë në KQZ në Komisionin e Reformës dhe në dijeninë time deri sot që ne monitorojmë nuk ka shkuar një propozim i tillë”, tha Krasniqi në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Krasniqi theksoi se debati duhet të përqendrohet te problemet që deformojnë procesin zgjedhor si financimi i fushatave nga burime kriminale dhe informale, dhe marrëdhënia mes zgjedhjeve dhe shtetit.
“Ne kemi pasur debate në komision dhe debati ishte: Zgjidhni problemet e financimit te zgjedhjeve nga burime kriminale dhe raporti i zgjedhjeve me shtetin. Këto janë problemet kryesore. Sa kohë nuk besojmë te partitë që vendosin në listë të mbyllur kë të duan, jemi të detyruar të kërkojmë formulë teknike që nuk ofron zgjidhje afatgjatë. Burimi i të keqes në Shqipëri është që partitë nuk janë demokratike dhe sistemi i zgjedhjes së kandidatëve nga partitë nuk ka meritokraci. Nëse do kishim këtë do shkonim pastaj te një produkt tjetër. Kështu që nuk e shoh asnjë zgjidhje afatshkurtër dhe të gjitha këto kërcënime që bëhen edhe 30 nëntori është për BE, nuk është për ne”. (A2 Televizion)