Departamenti amerikan i Shtetit përsëriti edhe njëherë qëndrimin se hapja e urës së Mitrovicës në këto momente shton mundësitë për dhunë dhe për këtë arsye i bëri thirrje qeverisë së Kosovës që të mos vijojë me planin e saj.
Një zëdhënës i Departamentit tha se Shtetet e Bashkuara nuk mbështesin asnjë lëvizje për të ndryshuar statusin aktual të urës së Mitrovicës në këto momente.
“Hapja e urës për trafikun e automjeteve tani, rrit potencialin për dhunë dhe vë në rrezik popullatën vendase si dhe ushtarët e KFOR-it – përfshirë amerikanët – të cilët po punojnë për të mbështetur paqen dhe sigurinë në Kosovë”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit.
DASH-i i bën thirrje qeverisë së Kosovës të mos ta ndërmarrë këtë veprim që e konsideron si të pakoordinuar dhe të njëanshëm.
Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje qeverisë që ta diskutojë këtë çështje në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
“Ky është një pozicion që ne e ndajmë me partnerët tanë të Kuintit – Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Mbretërinë e Bashkuar – si dhe me BE-në dhe NATO-n. Dhe është një qëndrim që e kemi bërë shumë të qartë, si publikisht ashtu edhe privatisht”, vazhdon deklarata e zëdhënësit. (A2 Televizion)