Edhe Kosova merr ftesë nga presidenti amerikan Donald Trump për t’iu bashkuara Bordit të Paqes, si anëtare themeluese. Ftesa personale i ka shkuar presidentes së vendit, Vjosa Osmani, siç bëri të ditur vetë e para e shtetit përmes një postimi në Facebook.
"Jam thellësisht e nderuar nga ftesa personale e presidentit Trump për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në Bordin e Paqes, si anëtare themeluese, krah për krah me SHBA-në në misionin për një botë më të sigurt", tha Osamni.
Ky bord pritet të mbikëqyrë udhëheqjen dhe rindërtimin e Rripit të Gazës, pasi Shtetet e Bashkuara ndërmjetësuan një marrëveshje armëpushimi mes Izraelit dhe grupit militant të Hamasit. Osmani tha se udhëheqja e guximshme e ndërton paqen dhe nuk flet thjesht për paqen, dhe kjo është, sipas saj, pikërisht ajo që po bën presidenti amerikan "nëpërmjet kësaj iniciative historike".
“Ashtu si Amerika që solli paqe në Kosovë, sot Kosova qëndron si aleat i palëkundur i saj për ta çuar paqen më tej. Historia i mban mend ata që bëjnë hapa të guximshëm në ndërtimin e paqes dhe ne jemi gati”, u shpreh Osmani, pwrcjell A2 CNN.
Trump thotë se pret që të punojë me Osmanin për “shumë kohë në të ardhmen, drejt arritjes së qëllimit për paqe të qëndrueshme botërore, mirëqenie dhe madhështi për të gjithë”.
Disa media ndërkombëtare, duke cituar burime, kanë raportuar se Trump dëshiron që shtetet të paguajnë 1 miliard dollarë për të qenë anëtarë të përhershëm. Por sipas CNN-it, ata që nuk e paguajnë këtë shumë do të kenë një mandat trevjeçar.
Këshilltari për media i Osmanit, Bekim Kupina i tha Radios Evropa e Lirë se një pagesë e tillë nuk është kërkuar.
Përveç Kosovës, edhe Shqipëria ka marrë ftesë nga Trump. Ndërsa presidenti amerikan ka ftuar edhe Kinën dhe Rusinë të jenë pjesë të Bordit të Paqes. Franca dhe Suedia kanë refuzuar ftesën, duke nxitur Trump të kërcënoje me vendosjen e tarifave 200 përqind ndaj produkteve franceze. (A2 Televizion)