Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku vendosi që Kuvendi i Jashtëzakonshëm i kësaj partie të mbahet të enjten, më 30 korrik, nga ora 18:00. Kërkesa për votëbesim ndaj Abdixhikut, është iniciuar pas pakënaqësive të shfaqura brenda partisë lidhur me rezultatin në zgjedhjet e 7 qershorit, në të cilat kjo parti doli e treta me më pak se 17 për qind të votave, që i kanë siguruar 18 deputetë.
Në njoftim të LDK-së thuhet se kryetari i LDK-së, në ushtrim të kompetencave dhe detyrimeve të përcaktuara me Statutin e partisë, ka marrë vendim për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas përfundimit të procedurave statutare të verifikimit të kërkesës së paraqitur nga delegatët e Kuvendit.
Nga ky proces është konstatuar se është përmbushur kriteri statutar prej së paku një të tretës të delegatëve të Kuvendit, të nevojshëm për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm”, thuhet në njoftimin e LDK-së. (A2 Televizion)