
Edhe pse rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) tregojnë se Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit fitoi një mandat deputeti në Kuvendin e Kosovës, në zgjedhjet e 7 qershorit, Lista Serbe e konteston legjitimitetin e tij politik, duke pretenduar se ai është siguruar nga votat e shqiptarëve.
Kundërshtimi i mandatit të Rashiqit nga Lista Serbe, por edhe nga Beogradi zyrtar, që e mbështet këtë parti udhëheqëse të serbëve në Kosovë, hap një debat më të gjerë për përfaqësimin e komunitetit serb në Kosovë, si dhe për funksionimin e sistemit të ulëseve të rezervuara për komunitetet joshumicë.
Lista Serbe, e cila, sipas rezultateve preliminare, ka fituar nëntë nga dhjetë mandatet e rezervuara për komunitetin serb, këmbëngul se është përfaqësuesja e vetme legjitime dhe e akuzon Rashiqin se po përpiqet t’ia “vjedhë” mandatin me vota të zgjedhësve që nuk i përkasin këtij komuniteti, përcjell A2.
Rashiq, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, i hedh poshtë këto pretendime dhe thotë se pjesën më të madhe të mbështetjes e ka marrë pikërisht nga serbët, si dhe nga votuesit e komuniteteve tjera joshumicë, me të cilët ka bashkëpunuar gjatë dy mandateve si ministër për Komunitete dhe Kthim.
Në zgjedhjet e 7 qershorit, Lista Serbe - gjithnjë sipas rezultateve preliminare - ka marrë rreth 43.000 vota, ndërsa Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë ka marrë 5.285 vota.
Miodrag Marinkoviq, nga organizata joqeveritare Qendra për Veprime Shoqërore Afirmative (CASA) në Mitrovicë të Veriut, thekson se, nga pikëpamja juridike, nuk ka asnjë dilemë rreth mandatit të Rashiqit, pasi partia e tij ka marrë mjaftueshëm vota për një vend deputeti.
Ai thotë se kontestimi i këtij mandati nga Lista Serbe nuk buron nga procesi zgjedhor, por nga veprimtaria politike e Rashiqit.
Rashiq është bashkëpunëtor i afërt i Albin Kurtit, në qeverinë e të cilit ka shërbyer si ministër në dy mandate.
Qeveria e Kurtit, ndër të tjera, ka mbyllur shumicën e institucioneve të Serbisë në Kosovë dhe ka hapur çështjen e integrimit të sistemit arsimor dhe shëndetësor serb në atë të Kosovës.
“Thelbi i mosmarrëveshjes nuk është nëse mandati i tij është i ligjshëm, por nëse është përfaqësues. Rashiq e ka lidhur pozitën e tij politike me Qeverinë e Albin Kurtit në kohën kur një pjesë e madhe e komunitetit serb e sheh atë qeveri si kërcënim për interesat e tij politike dhe ekzistenciale”, thekson Marinkoviq për Radion Evropa e Lirë.
Për këtë arsye, shton ai, ngrihet edhe një pyetje legjitime politike - nëse partia e tij përfaqëson kryesisht interesat e komunitetit serb apo interesat e shumicës qeverisëse, të cilës i jep mbështetje?!
Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu, nuk ka dilema për legjitimitetin e mandatit të Rashiqit dhe pohon se ai është i ligjshëm.
Ai thotë se votat nga komunitetet tjera nuk e zvogëlojnë rezultatin e tij dhe nuk e vënë në pikëpyetje sistemin e ulëseve të rezervuara.
“Sipas vendimeve të mëhershme të Gjykatës Kushtetuese, të gjithë mund të marrin vota nga komunitetet tjera. Nuk ka asgjë kontestuese. Çdokush që jeton në Kosovë, ka të drejtë të votojë lirshëm sipas bindjes së tij”, thotë Kryeziu për Radion Evropa e Lirë.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, nga gjithsej 120 ulëse në Kuvendin e Kosovës, 20 janë të rezervuara për komunitetet joshumicë, prej të cilave 10 për komunitetin serb dhe 10 për komunitetet tjera që jetojnë në Kosovë.
Kryeziu thekson se deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë të drejtë të përfaqësojnë interesat e të gjitha komuniteteve, pavarësisht këtyre ulëseve të rezervuara.
Rashiq: Do të mbroj interesat e komunitetit serb
Rashiq thekson se mandatin e deputetit e ka fituar kryesisht me votat e serbëve, por nuk e mohon se ka marrë mbështetje edhe nga komunitete të tjera joshumicë - gjë që, sipas tij, është rezultat i pozitës së tij si ministër për Komunitete dhe Kthim gjatë më shumë se tre vjetëve të kaluar.
Ai thekson se në institucionet e Kosovës do të mbrojë interesat e komunitetit serb, pasi mandatin e ka fituar kryesisht me votat e tij.
Ai, gjithashtu, shton se votat e komuniteteve të tjera i ka marrë për shkak se përfaqëson “një politikë të moderuar që merret me të drejtat e qytetarëve”.
“Unë udhëheq një politikë praktike. Natyrisht që gjithmonë do të marr vota edhe nga komunitetet tjera, por problemet e joshqiptarëve janë, nëse jo të njëjta, atëherë shumë të ngjashme. Prandaj, kjo politikë praktike jep rezultate te komunitetet tjera”, thotë Rashiq për Radion Evropa e Lirë.
Marinkoviq: Problemi nuk është mandati, por sistemi i përfaqësimit të serbëve
Marinkoviq vlerëson se rasti i Rashiqit hap edhe një problem të madh - ai “tregon një model më të gjerë të qeverisjes së Albin Kurtit, i cili shfrytëzon mospërputhjet në sistemin zgjedhor dhe ligjor që është krijuar për mbrojtjen e komuniteteve joshumicë, për të arritur qëllimet e tij politike”.
“Kjo shihet në masë të madhe edhe përmes logjikës politike të ekzistencës së partisë së Nenad Rashiqit, të cilën Kurti e përdor në mënyrë që, përmes mospërputhjeve në ligj, t’ia japë pozitat politike të rezervuara me ligj për komunitetin serb një force politike që e mbështet atë. Kështu, një mandat i fituar nga një parti që nuk ka mbështetjen e shumicës së serbëve të Kosovës, në praktikë mundëson kontrollin e pothuajse të gjitha pozicioneve politike që me ligj i takojnë komunitetit serb”, thotë ai.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, komuniteti serb ka një vend të garantuar në Qeveri, si dhe postin e nënkryetarit të Kuvendit.
Kurti, i cili i ka fituar edhe zgjedhjet e fundit, e konsideron Listën Serbe si një zgjatim të Beogradit dhe, sidomos pas sulmit në Banjskë në vitin 2023, refuzon bashkëpunimin me të.
Lista Serbe, për shkak të përjashtimit nga pjesëmarrja në institucione, i është drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese, e cila në fillim të vitit ka konstatuar se zgjedhja e Rashiqit për nënkryetar të Kuvendit ka qenë jokushtetuese.
Marinkoviq thekson gjithashtu se, pavarësisht të gjitha mangësive, “abuzimeve dhe manipulimeve që përdor edhe vetë Lista Serbe, po margjinalizohen politikisht edhe shumica e serbëve të Kosovës, të cilët ende e shohin atë si përfaqësuesen e tyre”.
“Prandaj, është edhe më shqetësuese mundësia që mandati i Rashiqit të jetë siguruar pjesërisht nga votat e komuniteteve të tjera joshumicë. Nëse kjo rezulton e vërtetë, atëherë ndryshon në thelb natyra e mekanizmave mbrojtës, të destinuar për komunitetin serb, pasi ata bëhen të ndjeshëm ndaj manipulimeve politike. Kjo nuk është gjë e mirë, ndaj nevojiten ndryshime në legjislacionin zgjedhor që do t’i rregullonin më qartë këto mospërputhje”, porosit Marinkoviq.
A keqpërdoren mandatet e komuniteteve joshumicë?
Pas zgjedhjeve të dhjetorit 2025 u ngrit gjithashtu pyetja nëse mandatet e rezervuara për komunitetet joshumicë në Kuvendin e Kosovës, janë një mbrojtje kushtetuese e përfaqësimit politik apo një instrument i inxhinierisë politike.
Atëkohë, Emilija Rexhepi, kryetare e Partisë së Re Demokratike që përfaqëson komunitetin boshnjak, e akuzoi Rashiqin për “manipulim të votave”, pasi ai mori rreth 200 vota në fshatra të komunës së Prizrenit, ku nuk jetojnë pjesëtarë të komunitetit serb.
Ajo u ankua për këtë çështje edhe në Gjykatën Supreme të Kosovës, e cila e hodhi poshtë ankesën, me arsyetimin se nuk mund të përcaktojë se kush për kë ka votuar dhe se secili ka të drejtë të votojë për këdo që dëshiron.
Megjithatë, Gjykata Supreme e Kosovës, në vitin 2021, ia anuloi mbi 4.000 vota Adriana Hoxhiqit, nga Iniciativa Qytetare Komuniteti i Bashkuar, në komunat me shumicë serbe - për ç’gjë ajo humbi mandatin e deputetes.
Gjykata, atëkohë, anuloi edhe mbi 800 vota për Iniciativën Rome, nga gjithsej 4.049 vota të fituara, duke bërë që ajo të humbte një nga dy ulëset e fituara në Kuvend.
Këto dy subjekte politike u akuzuan për marrjen e votave në zonat me shumicë serbe falë Listës Serbe, e cila “përmes elektoratit të saj, kishte tentuar të ndikonte dhe të vinte nën kontroll disa nga komunitetet joshumicë në Kosovë”.
Lidhur me votat e Iniciativës Rome, Partia e Bashkuar Rome e Kosovës dhe Partia Liberale Egjiptiane iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila në vitin 2023 konstatoi se pjesëtarët e pakicave kanë të drejtë të marrin vota në çdo pjesë të Kosovës, pa diskriminim apo numërim etnik, për aq kohë sa nuk vërtetohen shkelje konkrete zgjedhore.
Në vendim u theksua se anulimi i votave duhet të bazohet në arsye të qarta ligjore dhe prova, siç është mashtrimi i koordinuar zgjedhor./ REL (A2 Televizion)