Pas eklipsit diellor, një tjetër spektakël në qiell më 28 gusht: Hëna do të mbulohet nga hija e Tokës

Nga A2 CNN
22 Gusht 2026, 22:10 | Aktualitet

Pas eklipsit diellor, një tjetër spektakël në qiell më

Vetëm 16 ditë pas eklipsit diellor total të 12 gushtit, i pari që u pa nga Gadishulli Iberik pas më shumë se një shekulli, Spanja do të rikthejë sytë nga qielli për të ndjekur një tjetër ngjarje të rëndësishme astronomike.

Më 28 gusht do të ndodhë një eklips i pjesshëm hënor, me magnitudë 0.93, i cili do të jetë i dukshëm në të gjithë territorin e vendit.

Ndryshe nga eklipsi diellor, për ta shijuar këtë fenomen nuk do t’u nevojiten syze speciale apo ndonjë formë tjetër mbrojtjeje.

Instituti Kombëtar Gjeografik i Spanjës thotë se eklipsi mund të vëzhgohet me sy të lirë, pa asnjë rrezik, dhe se nuk do të nevojiten pajisje të veçanta.

Eklipsi do të jetë veçanërisht i theksuar. Sipas IGN, ai do të arrijë një magnitudë prej 0.93, që do të thotë se në momentin e kulmit, hija më e errët e Tokës, e njohur si umbra, do të mbulojë rreth 93% të diametrit të Hënës.

Gjithsesi, IGN thekson se kjo shifër nuk duhet ngatërruar me përqindjen e sipërfaqes së Hënës që do të mbulohet nga hija.

Ku do të shihet më mirë eklipsi?

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar Gjeografik të Spanjës, fenomeni do të jetë i dukshëm në disa prej fazave të tij nga Evropa, Afrika, Amerika dhe Azia Perëndimore.

Në Spanjë, faza e pjesshme e eklipsit do të mund të vëzhgohet nga i gjithë territori përpara se Hëna të zhduket nën horizont. Megjithatë, kushtet dhe pamja e eklipsit do të ndryshojnë ndjeshëm në varësi të vendit nga ku do të vëzhgohet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos