Presidenti i Këshillit Evropian flet nga Prishtina: Nevojitet ulja e tensioneve për t’i hequr masat e BE-së ndaj Kosovës

Nga A2 CNN
14 Maj 2025, 19:00 | Politikë

Presidenti i Këshillit Evropian flet nga Prishtina: Nevojitet ulja e

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka thënë të mërkurën në Prishtinë se nevojitet ulja e tensioneve në veri të Kosovës, në mënyrë që Bashkimi Evropian t’i heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

“Siç e dini këto masa lidhen me nevojën për t’i ulur tensionet në rajon dhe në veri të vendit. Uroj që sa më shpejt do të ndodhë ky shtensionim. Pas shtensionimit mund të ecim përpara dhe t’i heqim masat”, tha Costa duke folur në një konferencë të përbashkët për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023 - pas rritjes së tensioneve në veri të vendit – dhe vazhdon t’i mbajë ato në fuqi me arsyetimin se Kosova nuk ka bërë ende mjaftueshëm për shtensionimin e gjendjes në veriun e banuar me shumicë serbe.

Ai shtoi se shpreson se “ngjarjet e fundit të mos përfaqësojnë trend të ri, por të jenë përjashtim që konfirmon se jeni të angazhuar për të shtensionim të situatës dhe për të ecur përpara në rrugën evropiane dhe për t’u angazhuar në dialogun e Brukselit”.

Ndërkohë, gjatë vizitës në Prishtinë, Costa do të pritet në një takim nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Costa e viziton Kosovën në një kohë kur ligjvënësit kosovarë nuk kanë arritur të konstituojnë Kuvendin pas zgjedhjeve të mbajtura në shkurt, edhe pas 15 përpjekjeve. Qeveria e Albin Kurtit është ende në detyrë, deri në formimin e një qeverie të re pas konstituimit të Kuvendit.

Po ashtu, kjo vizitë zhvillohet në një kohë kur liderët kosovarë po shtojnë thirrjet drejtuar Bashkimit Evropian për heqjen e masave ndëshkuese të vendosura pas tensioneve në veri të vendit. Këto masa mbeten ende në fuqi, me arsyetimin se Kosova nuk ka ndërmarrë hapa të mjaftueshëm për shtensionimin e situatës në komunat me shumicë serbe.

Costa do të qëndrojë në paraditen e së mërkurës në Malin e Zi. Një ditë më parë, ai vizitoi Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën.

Gjatë një konference për media me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, Costa theksoi se dialogu me Kosovën është kyç për anëtarësimin e Serbisë në BE, dhe shtoi se është po aq i rëndësishëm edhe qëndrimi i qartë për dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës.

Për sa i përket vizitës së Vuçiqit në Moskë për festën e Ditës së Fitores, pavarësisht mesazheve nga Brukseli që i kërkonin të mos shkonte, Costa tha se Vuçiq ia shpjegoi atij se shkoi për të festuar një ngjarje historike.

"Nuk mund ta ndryshojmë historinë, e kuptoj plotësisht, që Serbia feston çlirimin, por nuk mund ta festojmë këtë pa dënuar invazionin aktual në një shtet tjetër", tha Costa.

Në Sarajevë, ai shprehu shqetësim për, siç i quajti, “veprimet ndarëse të Republikës Sërpska”, duke i cilësuar ato si kërcënim për stabilitetin dhe të ardhmen evropiane të Bosnjë e Hercegovinës.

Pas Kosovës, ai do të vizitojë edhe Maqedoninë e Veriut, si dhe Shqipërinë, ku do të marrë pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian.

Liderët e BE-së zgjodhën portugezin Antonio Costa si president të Këshillit Evropian, detyrë të cilën e mori më 1 dhjetor 2024./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos