Albin Kurti takon ambasadorët e QUINT, zbardhen temat e diskutimeve

Nga A2 CNN
12 Maj 2025, 17:03 | Politikë

Albin Kurti takon ambasadorët e QUINT, zbardhen temat e diskutimeve

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të QUINT-it, si dhe Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Përmes një njoftimi për media, Zyra e Kryeministrit njoftoi se temë kryesore e takimit ishte procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Kryeministri Kurti u shpreh se Kosova tashmë i ka përmbushur kriteret ligjore dhe institucionale për t’u bërë pjesë e kësaj organizate, siç është vlerësuar edhe nga Asambleja Parlamentare dhe raportuesja për anëtarësimin e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Në njoftim thuhet më tej se kryeministri Kurti paralajmëroi se vonesat e mëtejshme në anëtarësim po ua mohojnë qytetarëve të Kosovës të drejtën për qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Kosova ishte afër anëtarësimit vitin e kaluar, por çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe e la atë jashtë agjendës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, kur edhe do të vendosej për anëtarësimin e vendit në këtë organizatë.

Kusht i disa vendeve anëtare të saj, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, ishte që Kosova ta çonte së paku për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese një draft-statut të diplomatëve perëndimorë për Asociacionin.

Në fund të njoftimit thuhet se, ndër të tjera, është diskutuar edhe për zhvillimet e fundit politike në vend.

Pas takimit, Ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves, tha se inkurajuan formim të shpejt të institucioneve.

“Sot pasdite u takova me Kryeministrin në detyrë [Albin] Kurti së bashku me ambasadorët e tjerë të Quint-it. Inkurajova formimin e një qeverie të re sa më shpejt të jetë e mundur, për të vepruar në interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj, duke bërë përparim në çështje thelbësore, siç janë zhbllokimi i fondeve dhe përparimi drejt integrimit euroatlantik”, shkroi Hargreaves.

Prej disa javësh, përfaqësuesit politikë nuk po arrijnë ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës. Deri më tani janë mbajtur 14 seanca, në të cilat deputetët kanë dështuar të zgjedhin kryetarin e Kuvendit.

Derisa Vetëvendosje po insiston në zgjedhjen e Albulena Haxhiut si kryetare të Kuvendit, kjo parti ka dështuar të sigurojë votat e nevojshme.

Pas gjashtë dështimeve në votimin e Haxhiut, së fundi, udhëheqësi i seancës konstituive, Avni Dehari, propozoi votim të fshehtë.

Por ky veprim i Deharit u dërgua nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe disa deputetë të partive të tjera për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Meqë nuk shihet ndonjë rrugëdalje nga bllokada në Kuvend, nga 15 maji presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pritet të takojë udhëheqësit e partive politike në një përpjekje të re për të formuar institucionet e reja./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos