Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se sa i përket procesit të konstituimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet e 9 gushtit, ajo do të veprojë “në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi” me qëllim që të garantohet stabiliteti institucional.
Këto deklarata ajo i ka bërë gjatë takimeve të ndara që ka zhvilluar me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, dhe atë të Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves.
“Në kuadër të diskutimeve, u diskutua edhe procesi i konstituimit të institucioneve si rezultat i zgjedhjeve të 9 shkurtit. Me këtë rast, presidentja Osmani riafirmoi se veprimet e saj do të jenë gjithmonë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet, duke siguruar stabilitet institucional dhe respektimin e vullnetit qytetar”, u tha në njoftimin pas takimit me ambasadorin britanik.
Njoftim i ngjashëm u lëshua edhe për takimin me ambasadorin gjerman.
Një ditë më herët, Presidenca e Kosovës tha se po analizon procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, pasi kryetari i ri i organit ligjvënës, Dimal Basha, e shpalli të përmbyllur seancën konstituive më 30 gusht, edhe pse nuk u zgjodh nënkryetari nga radhët e komunitetit serb.
Më 1 shtator, Osmani priti në takim Bashën me të cilin diskutoi për çështjen e Kuvendit.
“Në këtë takim, kryetari Basha e ka prezantuar qëndrimin e tij lidhur me konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, presidentja Osmani e ka informuar kryetarin Basha se ekipi ligjor i Presidencës është duke bërë analizën lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës”, tha Presidenca pas takimit.
Gjatë seancës konstituive të 30 gushtit, Basha hodhi në votim, përmes shortit, kandidatët e mbetur për nënkryetarë të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb. Pasi asnjëri prej tyre, gjatë tri herëve që u hodhën në votim, nuk mori 61 votat e nevojshme, Basha tha se Kuvendi duhet të vazhdojë punën dhe e shpalli të “përmbyllur” procesin e konstituimit.
Gjatë seancës konstituive të 30 gushtit, Basha hodhi në votim, përmes shortit, kandidatët e mbetur për nënkryetarë të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb. Pasi asnjëri prej tyre, gjatë tri herëve që u hodhën në votim, nuk mori 61 votat e nevojshme, Basha tha se Kuvendi duhet të vazhdojë punën dhe e shpalli të “përmbyllur” procesin e konstituimit.
Ky vlerësim i Bashës është kundërshtuar nga partitë e tjera parlamentare.
Pse nuk u zgjodh kryetari i pestë i Kuvendit nga komuniteti serb?
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit, ka njoftuar gjatë fundjavës se i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me çështjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.
Ndryshe nga vitet e kaluara, kur për këta dy nënkryetarët nga pakica serbe dhe ato joserbe votohej në pako, këtë vit votimi është ndarë.
Përfaqësuesja e komuniteteve të tjera joserbe, Emilija Rexhepi, u zgjodh nënkryetare e Kuvendit. Por, procesi ngeci kur erdhi puna te zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb.
Lista Serbe, e cila në Kuvend ka 9 nga 10 vendet e rezervuara për serbët, këmbënguli ta propozonte Sllavko Simiqin. Megjithatë, ai nuk arriti të siguronte 61 votat e nevojshme as pas tri rundeve të votimit.
Pasi Lista Serbe nuk pranoi të propozonte dikë tjetër për nënkryetar, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, vendosi të hidhte short, sipas Rregullores së punës së Kuvendit, për të nxjerrë një emër tjetër nga komuniteti serb.
Përveç disa deputetëve të tjerë të Listës Serbe, për këtë post u propozua edhe Nenad Rashiq nga partia serbe Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, aktualisht ministër në detyrë në qeverinë e Albin Kurtit.
As Rashiq nuk i mori votat e nevojshme për t’u zgjedhur nënkryetar.
Rregullorja parasheh që “kandidati për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb propozohet nga shumica e deputetëve të komunitetit serb”.
Ndërkaq, Kushtetuta e Kosovës thotë se nënkryetari “do të jetë nga radhët e deputetëve të Kuvendit që mbajnë vendet e rezervuara ose të garantuara të komunitetit serb”.
Njohësit e Kushtetutës kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pasi të zgjidhet kryetari dhe pesë nënkryetarët.
Pas konstituimit të Kuvendit, sipas ligjeve në fuqi, presidentja duhet t’i kërkojë partisë fituese, në këtë rast Lëvizjes Vetëvendosje, emrin e mandatarit për qeverinë e re. Mandatari më pas ka 15 ditë kohë që të sigurojë 61 votat e nevojshme për ekzekutivin e ri. Nëse ai dështon, atëherë është në diskrecionin e presidentes se kë të mandatojë për formimin e Qeverisë së re. (A2 Televizion)