Takimet për Presidentin/ LDK nuk i thotë “jo” Osmanit, Kurti: S’ka garanci

Nga Ideal Gola
2 Mars 2026, 23:37 | Politikë

Një tjetër përpjekje e pasuksesshme ishte dhe takimi i Kryeministrit Albin Kurti dhe kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për çështjen e Presidentit.

Edhe pas dy raunde takimesh të liderëve të tri partive më të mëdha, Albin Kurti, Bedri Hamzës dhe Lumir Abdixhikut, si dhe tri ditë nga afati kushtetues për zgjedhjen e Kreut të Shtetit, Kosova ende nuk ka njohur një emër si kandidat për President që do të merrte 80 vota në Kuvendin e Kosovës.

Për herë të parë, Lidhja Demokratike e Kosovës u tregua e hapur ndaj kandidaturës së Presidentes aktuale Vjosa Osmani, por shtoi se emri i saj nuk është hedhur për diskutim. 

Mirëpo, kryeministri Kurti la për të kuptuar se kandidatura e Osmanit nuk gëzon mbështetjen e mjaftueshme brenda numrave që ka Vetëvendosje dhe LDK, e që janë 81.

“Neve nuk na është propozuar asnjë emër për t’i kërkuar votat tona, pra në këtë fazë nuk kemi qëndrime refuzuse ndaj askujt, e aq më pak ndaj zonjës Osmani”, tha Abdixhiku.

“Koniderojmë që nuk mund të shkojmë me 80 në votim. Po doli 79 numri në fund automatikisht shkojmë në zgjedhje, e kemi prioritet absolut në situatën aktuale politike evitimin e zgjedhjeve”, theksoi Kurti.

Ndonëse Abdixhiku nuk ishte shumë optimistë për gjetjen e një kandidati, kryeministri Kurti deklaroi se përpjekjet do të vazhdojnë deri të enjten për të gjetur një zgjidhje: “Kurrë s'ka qenë atmosfera më konstruktive me opozitën, mirëpo atmosfera konstruktive nuk nënkupton automatikisht hapa konkretë. Edhe një herë po e theksoj, as 80 nuk është garanci, duhet 84 ose 85”.

Abdixhiku tha:“T'ju them të drejtën, e shoh shumë të vështirë çështjen e konsesusit politik në këtë moment brenda partive politike shqiptare. Nuk ka ndonjë kandidat specifik në këtë fazë që na është prezantuar”.

Në fundjavë, Kurti takoi edhe kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, i cili kërkoi që kandidati për President të vijë nga kjo parti si zgjidhje për situatën.

Kurti shprehu pëlqimin për profesor Murat Jasharin, nga familja Jashari, por i njëjti ka refuzuar.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos