Tjetër mandat për Osmanin? Apo Konjufca do të jetë Presidenti i ri? Haxhiu flet për A2CNN

Nga A2 CNN
7 Janar 2026, 18:34 | Politikë

Tjetër mandat për Osmanin? Apo Konjufca do të jetë

Albulena Haxhiu, një prej grave më të votuara në Kuvendin e Kosovës, ka dhënë një intervistë ekskluzive për gazetarin e A2CNN, Ideal Gola.

Haxhiu, një nga figurat më të rëndësishme të Vetëvendosjes, preku edhe temën e Presidentit të Kosovës, duke qenë se Vjosa Osmani është në fundin e mandatit të saj.

“Kemi thënë që do të kemi takime me Presidenten Osmani, për të parë rrugën që do të ndjekim, për të parë qëndrimin në raport me këtë çështje. Kryeministri Kurti dhe Presidentja Osmani do të kenë takime për këtë temë. Do të shohim si do të shkojë situata, por ne jemi shumë të interesuar që të mos e çojmë vendin në zgjedhje, për shkak se kemi humbur mjaft dhe nuk kemi nevojë për zgjedhje të tjera. Por, opozita është e vetëdijshme se nëse nuk pranon që të jetë në takime, që të kontribuojë për tejkalimin e kësaj situate, Kosova nuk ka nevojë për qëndrime barrikaduese”, tha fillimisht Haxhiu.

Kur u pyet nëse ka një dakordim mes Kurtit dhe Osmanit për një tjetër mandat si Presidente të kësaj të fundit, Haxhiu u përgjigj: “Thashë që kurdo që do të ketë takime, opinioni publik do të njoftohet. Takimet do të jenë transparente dhe nuk ka ndodhur asnjë marrëveshje apo një takim i tillë. Ka një përpjekje të madhe që të bëhen deklarime të tilla, pa konfirmime të sakta, por po përballemi me lajme të tilla që nuk qëndrojnë. Presim takimet dhe të shohim rrugën që do të ndiqet”.

Në lidhje me një kandidaturë të mundshme të zotit Konjufca për President, Haxhiu theksoi: “Të gjitha çështjet do të fliten gjatë ditëve në vijim. Gjatë kësaj faze sigurisht që do të ketë emra të përveçëm që do të përfliten, grupe të ndryshme propozojnë emra, por nuk kemi vendosur që të jetë kandidat për President zoti Glauk Konjufca. Ai u propozua si ministër i Punëve të Jashtme dhe deri tani nuk ka ndërruar diçka, por me siguri nuk mund të flasim për askënd, derisa nuk ka takim ende”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos