Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e ka propozuar kryetarin e saj, Albin Kurtin – njëherësh kryeministër në detyrë i Kosovës – për një tjetër mandat në krye të Qeverisë.
Kurti është propozuar me votë unanime në mbledhjen e 59-të të Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, të mbajtur të dielën.
Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë duke fituar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës – të pamjaftueshme për të formuar vetë Qeverinë.
Në fjalimin e tij, Kurti i ka falënderuar anëtarët e partisë për besimin e dhënë, dhe e ka shpalour programin e asaj që e ka quajtur qeverisje të re.
Mes tjerash, Kurti e ka përmendur synimin e vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO.
LVV e ka marrë vendimin për propozim të Kurtit vetëm pak ditë pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur masë të përkohshme, përmes së cilës ua ndalon deputetëve të ndërmarrin veprime për zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Masa do të jetë në fuqi nga 5-30 shtator. Ajo është kritikuar nga LVV-ja, e cila ka bërë thirrje të ecet përpara me formimin e Qeverisë së re.
Teksa e ka propozuar Kurtin, nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca, i ka kritikuar dhe fajësuar partitë tjera të mëdha shqiptare për krizën institucionale.
“Sivjet e pamë përpjekjen më të rrezikshme për mosnjohjen e rezultatit zgjedhor, me apo ndoshta pa vetëdije, partitë politike që e kanë shpallur veten kundërshtare të Lëvizjes Vetëvendosje qysh prej certifikimit të zgjedhjeve, janë përpjekur ta thonë vetëm një gjë, vetëm një votë më pak se 50 për qind dhe shteti mbetet pa Kuvend”.
Gjykata Kushtetuese ka dalë me vendim bazuar në kërkesën e deputetëve të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Kjo parti beson se janë kryer shkelje kushtetuese pasi kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha – nga LVV-ja – i ka hedhur në votim ndaras kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga minoriteti joserb dhe ai serb.
Lista Serbe, e cila gëzon 9 prej 10 ulëseve të rezervuara në Kuvend për minoritetin serb, ka insistuar në emrin e Sllavko Simiqit, por ai nuk i ka siguruar votat e nevojshme.
Më vonë Basha, duke u bazuar në Rregulloren e punës së Kuvendit, i ka nxjerrë në votim përmes shortit emrat e të gjithë deputetëve serbë në Kuvend, por asnjëri nuk i ka siguruar 61 votat e nevojshme.
Basha e ka shpallur Kuvendin të konstituuar, ndonëse nuk është zgjedhur edhe nënkryetari i pestë.
Partitë tjera besojnë se Kuvendi nuk është konstituuar, ndërsa Presidenca e Kosovës ka thënë në fillim të javës se ekipi ligjor po e analizon këtë proces.
Kurti e ka quajtur të paarsyeshme masën e marrë nga Kushtetuesja.
“Të vetmen dilemë që e kam në këtë situatë është nëse është më shumë absurde, apo më shumë e dëmshme kjo masë 25-ditore. Por, që është edhe shumë absurde, edhe shumë e dëmshme, nuk kam dyshime”.
Ai e ka kritikuar Gjykatën Kushtetuese për ato që i ka quajtur vonesa në marrjen e vendimeve gjatë mandatit të tij.
“Derisa Qeveria punon çdo ditë për qytetarët, Gjykata Kushtetuese vazhdon të vonojë vendime jetike, duke bllokuar reforma, duke shkaktuar pasoja të drejtpërdrejta për demokracinë, për qytetarët, për zhvillimin e vendit”.
Njohësi i çështjeve ligjore dhe kushtetuese, Vullnet Bugaqku, nga Instituti Demokratik i Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë këtë javë se e konsideron vendimin e Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e masës së përkohshme si një veprim të drejtë dhe të domosdoshëm.
Sipas tij, kjo është një masë procedurale që synon të parandalojë çdo pasojë juridike të mundshme, si dhe dëmet që mund të shkaktohen nga veprimet e deputetëve të Kuvendit të Kosovës apo nga presidentja Vjosa Osmani.
Hapat e radhës
Deputët e Kuvendit të Kosovës e kanë nisur seancën konstituive më 15 prill. Ajo është vazhduar me muaj dhe situata vazhdon të jetë e paqartë. Kushtetuesja ka dalë tri herë me vendime brenda kësaj periudhe.
Në momentin që Kuvendi konstituohet, presidentja e vendit obligohet që të nominojë partinë fituese të zgjedhjeve si mandatare për formimin e Qeverisë.
Në këtë pikë nuk ekziston një afat i saktë, por vendimet në fuqi përcaktojnë që procesi duhet të zhvillohet “sa më parë që të jetë e mundur”.
Kabineti duhet t'i sigurojë votat e 61 deputetëve brenda këtij afati. Por, nëse kjo nuk ndodh, presidentja është e obliguar që brenda 10 ditëve t’i ftojë në konsultim edhe një herë partitë politike, edhe të vendosë, sipas diskrecionit të saj, për mandataren e re, nëse ajo ia dëshmon se i ka numrat për të formuar Qeverinë.
Edhe mandatarja e ardhshme duhet t’i ketë 15 ditë kohë që t’ia paraqesë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar.
Nëse Qeveria nuk formohet as pas 40 ditësh, presidentja duhet të shpallë dekretin për zgjedhjet e reja, që duhet të mbahen dyzet ditë prej shpalljes së vendimit. REL (A2 Televizion)