Zgjedhjet lokale në Kosovë, KQZ hedh short për renditjen e subjekteve politike

Nga A2 CNN
4 Shtator 2025, 18:30 | Politikë

Zgjedhjet lokale në Kosovë, KQZ hedh short për renditjen e

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë e ka finalizuar të enjten procesin e tërheqjes së shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) Valmir Elezi, ka bërë të ditur në nisje të procesit se në këto zgjedhje garojnë 5.626 kandidatë dhe prej tyre 206 janë kandidatë për kryetarë komunash dhe të tjerët për ulëse në kuvende komunale.

Në zgjedhjet lokale për 38 komuna janë certifikuar 93 subjekte- 32 parti politike, 32 iniciativa qytetare, dy koalicione dhe 27 kandidatë të pavarur.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka thënë në nisje të tërheqjes së shortit se ky hap tregon se procesi përgatitor ka hyrë në fazën përfundimtare.

“Zgjedhjet janë themeli i një demokracie, pasi përmes tyre qytetarët shprehin vullnetin politik duke zgjedhur përfaqësuesit në nivelin qendror dhe lokal”, ka thënë ai.

Radoniqi ka bërë të ditur se prej 17 shtatorit do të nisë votimi me postë për mbi 260 mijë shtetasit kosovarë të regjistruar që jetojnë jashtë territorit të Kosovës.

Subjektet e certifikuara janë renditur me numra prej 100 deri më 192.

Kosova i ka mbajtur zgjedhjet e fundit lokale në tetor të vitit 2021.

Partia Demokratike e Kosovës pati fituar më së shumti komuna, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos