Pas pingpongut të deklaratave mes dy institucioneve, duket se Partia Socialiste ka gjetur një zgjidhje për Ministrinë e Jashtme.
Gjatë mbledhjes së kryesisë së partisë, mëngjesin e kësaj të hëne, mësohet se plani rezervë i kryeministrit Rama është që këtë detyrë ta marrë ai përsipër. Rama pritet t’i dërgojë presidentit Meta një tjetër dekret për zëvendësimin e Ditmir Bushatit, ku siç konfirmoi edhe vetë përmes Twitter-it, do të jetë emri i tij në të. Rama është shprehur edhe se PS po përgatit një ankimim për Presidentin në Gjykatën Kushtetuese.
Deri në ngritjen e kësaj të fundit, Rama do të jetë ministër i Jashtëm. Një zgjidhje kjo e propozuar nga vetë Ilir Meta. Të gjithë dekretet e emërimit të qeverisë, do të votohen njëkohësisht në të njëjtën seancë plenare.
Nuk ka vonuar edhe përgjigja e Metës, i cili përmes Facebook është shprehur: “Presidenti në krye të punës. Për Presidentin e para është Kushtetuta dhe sundimi i ligjit. NO MORE FAKE STATE. Shqipëria e para!”.
Rama për deputetët: mos lëvizni me datë 16 janar, mund të kemi seancë
Sipas disa burimeve, kryeministri Edi Rama ka qarkulluar për deputetët e Partisë Socialiste një mesazh ku i kërkohet deputetëve të qëndrojnë në Tiranë më datë 16 janar, të mërkurën, “sepse mund të kemi seancë”. (A2 Televizion)