Ringjallet kryevepra e djegur e Gogolit, a mundet inteligjenca artificiale të imitojë gjeniun njerëzor?

Nga Erjon Dervishi
27 Nëntor 2026, 18:57 | Bota

Një prej mistereve më të mëdha të letërsisë ruse po merr një përgjigje të pazakontë, në epokën e inteligjencës artificiale. Më shumë se 170 vjet pasi shkrimtari Nikolai Gogol dogji dorëshkrimin e vëllimit të dytë të romanit të tij të famshëm “Shpirtra të vdekur”, një model i inteligjencës artificiale pretendon se ka rikrijuar vazhdimin e historisë. Projekti, i titulluar “Shpirtra të vdekur: Ringjallja”, ka ngjallur kureshtje te lexuesit, por edhe debat mes studiuesve. A mundet një makinë të imitojë stilin e një gjeniu të letërsisë, apo krijimtaria mbetet një territor ekskluziv i njeriut?

Në vitin 1852 Nikolai Gogol, një prej emrave më të rëndësishëm të letërsisë ruse, po kalonte një periudhë të rëndë krize krijuese dhe shpirtërore. I pakënaqur me punën e tij dhe i përfshirë nga dyshime të thella, ai dogji një pjesë të dorëshkrimit të vëllimit të dytë të “Shpirtra të vdekur”, vetëm pak ditë para vdekjes. Kështu, një prej veprave më të rëndësishme të letërsisë botërore mbeti e papërfunduar. Nga tre vëllimet që autori kishte planifikuar, vetëm i pari mbijetoi i plotë.

Në këtë roman, Gogol krijoi një galeri personazhesh të paharrueshëm, duke përdorur satirën dhe humorin e zi për të ekspozuar veset, lakminë dhe hipokrizinë e shoqërisë së kohës. Në qendër të historisë është Çiçikovi, një mashtrues që përpiqet të pasurohet duke blerë në letër fshatarë të vdekur, të cilët vazhdonin të figuronin në regjistrat e pronarëve të tokave. Gogol kishte planifikuar që në vijim të tregonte edhe transformimin moral të personazhit, një zhvillim që nuk arriti ta përfundonte kurrë.

Tashmë, këtë sfidë e ka marrë përsipër inteligjenca artificiale. Modeli rus GigaChat, i zhvilluar nga gjiganti bankar dhe teknologjik Sber, është përdorur për të krijuar një vazhdim të mundshëm të romanit. Projekti nuk synonte të rindërtonte fjalë për fjalë dorëshkrimin e djegur, por të imagjinonte se si mund të kishte vijuar natyrshëm historia e Çiçikovit.

Vladislav Otroshenko, shkrimtar, studiues i veprës së Gogolit dhe drejtues i projektit, shpjegon se rezultatet nuk erdhën menjëherë. Sistemit iu deshën rreth katër muaj punë për të arritur një nivel që ekipi e konsideronte bindës.

“Makina nisi të prodhonte rezultate, sigurisht jo menjëherë. Vetëm pas rreth katër muajsh ajo filloi të funksiononte si një shkrimtar me përvojë të madhe. Dhe dua të theksoj se detyra jonë nuk ishte të rikrijonim atë që Gogoli kishte djegur. Synimi ishte të vazhdonim historinë dhe të imagjinonim se çfarë mund t’i kishte ndodhur realisht Çiçikovit, nëse zhvillimi i tij do të kishte vijuar natyrshëm, ndërsa ky mashtrues i jashtëzakonshëm do të evoluonte më tej”, Vladislav Otroshenko, shkrimtar dhe drejtues i projektit.

Sipas drejtuesit të projektit, inteligjenca artificiale arriti të përballonte me sukses pjesën artistike dhe veçanërisht ndërtimin e subjektit. Por ai pranon se ekziston një kufi që teknologjia nuk mund ta kapërcejë: dimensioni shpirtëror i krijimtarisë së Gogolit.

“Ajo e përballoi shumë mirë anën artistike të detyrës, veçanërisht zhvillimin e ngjarjeve. Por këtu nuk po flasim për dimensionin shpirtëror. Marrëdhënia e Gogolit me Zotin, transformimi i tij dhe përpjekjet për të ndryshuar personazhin përmes transformimit të shpirtit të vet, sigurisht që janë të pamundura. Një makinë nuk mund ta bëjë këtë”, Vladislav Otroshenko, shkrimtar dhe drejtues i projektit.

Pavarësisht rezervave, libri i ri ka tërhequr vëmendjen e publikut. Në prezantimin e tij në Moskë, organizatorët e cilësuan një eksperiment të paprecedentë, ndërsa lexuesit shfaqën interes për të zbuluar se si mund të kishte përfunduar një prej historive më të njohura të letërsisë ruse.

Otroshenko e konsideron botimin një sukses dhe një eksperiment me vlerë artistike, sidomos për faktin se inteligjenca artificiale është përballur me një prej stileve më të ndërlikuara të letërsisë ruse.

“Është një bestseller, një sukses në shitje dhe lexuesit janë vërtet të interesuar për të. A ka vlerë artistike? Sigurisht që ka, sepse bëhet fjalë për një eksperiment unik, të paprecedentë. Ne po punonim me stilin dhe poetikën e Gogolit, që përbëjnë një nga sfidat më të mëdha të letërsisë ruse”, Vladislav Otroshenko, shkrimtar dhe drejtues i projektit.

Disa prej lexuesve që kanë marrë pjesë në prezantim thonë se rezultati është bindës dhe se gjatë leximit arrijnë të ndiejnë atmosferën e veprës origjinale.

“Nëse do të kishin shkruar: ‘Lajm i fundit! Gogoli kishte një kopje të dytë të vëllimit të dytë të Shpirtrave të vdekur, nuk e kishte djegur dhe ajo është zbuluar!’, mendoj se njerëzit do ta kishin besuar. Po e lexoj tani dhe është vërtet në stilin e Gogolit. Të zhyt plotësisht në atmosferën e asaj epoke”, Igor, vizitor në prezantimin e librit.

Për Igorin, rëndësia e romanit lidhet edhe me mesazhin e tij alegorik. Ai e krahason veprën me “Komedinë Hyjnore” të Dantes, ku personazhet dhe pronarët e tokave përfaqësojnë vese dhe mëkate të ndryshme njerëzore.

“Vepra është krahasuar me ‘Komedinë Hyjnore’ të Dante Alighierit. Secili prej pronarëve të tokave përfaqëson një ves të caktuar, një mëkat njerëzor. Libri është vërtet unik dhe besoj se admiruesit e Gogolit tani kanë mundësinë ta vlerësojnë, ta krahasojnë dhe të shohin se si mund të kenë përfunduar aventurat e Çiçikovit”, Igor, vizitor në prezantimin e librit.

Megjithatë, jo të gjithë janë të bindur se teknologjia mund të plotësojë boshllëkun që la pas një prej shkrimtarëve më të mëdhenj të shekullit të 19-të. Në muzeun e Gogolit në Moskë, ku ruhen botimet e hershme të veprës dhe dorëshkrimet e autorit, mendimet janë të ndara. Për disa vizitorë, një imitim i stilit nuk mund të zëvendësojë përvojën njerëzore dhe shpirtërore që qëndron pas një vepre letrare.

“Ata jetuan në kohën e tyre, ne jetojmë në kohën tonë. Inteligjenca artificiale nuk mund të kthehet në atë epokë, me të gjithë mjedisin dhe rrethanat në të cilat ata jetuan. Kjo është e vetmja mënyrë se si mund ta shpjegoj. Libri nuk do të më emociononte dhe, madje, as nuk dua ta lexoj” Larisa, vizitore e muzeut.

Larisa beson se klasikët duhet të mbeten të paprekur dhe se nuk duhet ndërhyrë në krijimtarinë e një autori si Gogoli, veprat e të cilit ishin të lidhura ngushtë me botën e tij të brendshme dhe me mënyrën e veçantë të të menduarit.

“Duhet ta lëmë një klasik të qetë dhe të mos ndërhyjmë në mendjen e një njeriu, aq më pak në mendjen e një personi të tillë. Siç dihet, të gjitha veprat e tij u krijuan përmes modeleve të tij shumë të veçanta psikologjike”, Larisa, vizitore e muzeut.

Ndërsa disa e refuzojnë kategorikisht librin, të tjerë janë të gatshëm t’i japin një mundësi. Një vizitore tjetër, Julia, thotë se është të paktën kurioze të shohë nëse historia e krijuar nga inteligjenca artificiale do të arrijë ta tërheqë si lexuese.

“Po, jam e interesuar. Të paktën dua ta shoh librin dhe të kuptoj nëse historia do të arrijë të më tërheqë apo jo. Në përgjithësi, po, më intereson”, tha Julia, vizitore e muzeut të Gogolit.

Për të shmangur rrezikun që rezultati të ishte thjesht një tekst artificial, pa koherencë dhe vlerë letrare, projekti përfshiu një ekip të gjerë specialistësh. Gjuhëtarë, inxhinierë dhe historianë punuan në disa faza të kontrollit dhe rishikimit të tekstit. Katerina Manoylo, shkrimtare dhe kritike letrare, e cila drejton sektorin e letërsisë në GigaChat, thotë se sfida kryesore ishte t’i mësohej makinës të dallonte humorin dhe absurditetin karakteristik të Gogolit nga gabimet e vetë inteligjencës artificiale.

“Nuk mendoj se në këtë rast mund të flasim për atë që quhet përmbajtje e pavlerë e prodhuar nga inteligjenca artificiale. Pikërisht për të shmangur një rezultat të tillë u përfshi i gjithë ekipi. Në çdo fazë, teksti kaloi në disa raunde kontrolli nga gjuhëtarë, inxhinierë dhe historianë. Detyra jonë kryesore ishte t’i mësonim inteligjencës artificiale të kuptonte se ku përfundon absurdi karakteristik i Gogolit dhe ku fillon një gabim i makinës”, Katerina Manoylo, kritike letrare.

Por pikërisht këtu qëndron edhe debati më i madh. A mjafton të njohësh gjuhën, stilin, personazhet dhe mënyrën e rrëfimit të një autori për të vazhduar veprën e tij? Studiuesi i letërsisë ruse, Artyom Nikitin, është skeptik.

“Me të njëjtën logjikë, dikush mund të shkruante një vëllim të tretë të ‘Shpirtrave të vdekur’, të vazhdonte ‘Vëllezërit Karamazov’ me historinë e Aljoshës, apo të vijonte një numër të madh veprash të tjera. Në këtë mënyrë, mund të vazhdohet të shkruhet pa fund. Por unë besoj se një vepër letrare nuk lind automatikisht nga gjithçka që një autor ka krijuar më parë. Edhe nëse njohim gjuhën, stilin dhe linjat e subjektit të tij, kjo nuk na tregon se çfarë do të shkruante ai më pas”, Artyom Nikitin, studiues i letërsisë ruse.

Eksperimenti me “Shpirtra të vdekur: Ringjallja” hap kështu një debat që shkon përtej një libri të vetëm. Inteligjenca artificiale po dëshmon se mund të analizojë dhe të imitojë stile të ndërlikuara letrare, madje të ndërtojë histori që për disa lexues duken bindëse. Por a mund të prodhojë ajo edhe përvojën, emocionin, konfliktin e brendshëm dhe botën shpirtërore që e bëjnë një autor të pavdekshëm? (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos