Rama: Porti i Durrësit do të jetë marina më e madhe e Mesdheut. Ironizon Bylykbashi

Nga A2 CNN
9 Shkurt 2021, 20:03 | Politikë
Rama: Porti i Durrësit do të jetë marina më e madhe e

Në një bashkëbisedim me qytetarët e Durrësit kryeministri Edi Rama njoftoi se është dorëzuar projekti i fazës së parë për ndërtimin e portit të Durrësit, i cili sipas tij do të jetë Marina më e madhe e Mesdheut. Rama shtoi se do të hidhen 2 miliardë euro për transforimin e Portit të Durrësit.

“Sot kemi një nga kompanitë më të mëdha të botës e cila operon një pjesë të madhe të investimeve turistike në Lindjen e Mesme, që jo vetëm ka shprehur dëshirën por ka dorëzuar projektin e fazës së parë të portit turistik të Durrësi. Nuk mund të imagjinohej që një komani e këtyre përmasave të vijë dhe të shprehte interes për të transformuar Portin e Durrësit para 7 vitesh. Do të jetë Marina më e madhe e Mesdheut. Ideja për ta bërë komplet Portin e Durrësit, komplet marinë as nuk mund të imagjinohej. Investitorë që të hidhnin jo 2 miliardë siç bëhet fjalë për investimin,  për të cilin flasim, deri para pak vitesh nuk gjendeshin”.

Për kreun e qeverisë Durrësi duhet të çlirohet nga gjithë ai aktivitet intensiv ngarkim-shkarkimesh të mallrave, pasi perspektiva e tij është e lidhur me turizmin.

 “Durrësi duhet të çlirohet nga gjithë ai aktivitet intensiv ngarkim-shkarkimesh të mallrave në zemër të tij. Është një port 2400-vjeçar të cilit sot për arsye që janë mëse të qarta, ndërkohë që Durrësi e ka perspektivën të lidhur me turizmin, i cili në Durrës padiskutim ka të ardhme, pasi qyteti ka hapësira të rëndësishme rekreative për pushuesit. Nuk mundet që mu në zemrën e vet të ketë një port i cili është i tejkaluar nga vetë koha. Nëse porti i mallrave nuk mund të jetë në zemër të qytetit është pamundur të mendohet Durrësi pa portin e mallrave. Zemra e qytetit çlirohet nga gjithë ai aktivitet. Të hap me patjetër perspektivën, jo vetëm për zhvillimin, por rritjen e mëtejshme të këtij kapaciteti. Sot ne duhet të shohim perspektivën e portit të mallrave në Durrës si një perspektivë të rritur me ambicien për të pasur një port shumë të rëndësishëm nga pikëpamja e vëllimeve. Por njëkohësisht për ta pasur të lidhur edhe me aktivitetin ekonomik. Ne kemi punuar për disa vite me këtë ide”.

Ai shtoi se ka pasur disa tentativa për të filluar me zonën industriale, zonën ekonomike që do të lidhet me portin e ri të mallrave në Durrës, por këto nuk janë finalizuar ende.

Por deklarata e kreut të qeverisë në lidhje me lashtësinë e portit të Durrësit ka hasur në ironinë e demokratit Oerd Bylykbashi. Në një postim në Facebook ai shprehet se Rama ngatërrohet me qytet tjetër pasi Durrësi është themeluar si qytet-port 2700 vite me pare

“Paskan ardhur hienat në Durrës, me në krye Ramën, që të justifikojnë babëzinë e tyre për llokmat qe i kanë shqyer dhe po i shqyejnë Durrësit të durrsakeve, atyre që janë këtu me breza dhe atyre që kanë vendosur ta ndërtojnë jetën në Durrës. Rama sapo këputi kumbullën që Durrësi është port 2400-vjeçar. Ngatërrohet me qytet tjetër, por aq di. As këtë nuk di Kryeministri, që Durrësi është themeluar si qytet-port 2700 vite më parë. Dhe pastaj do që të kandidojë në Durrës! Kështu është kur vjen me lugën dhe thikën në brez dhe nuk ke respekt për qytetin më të vjetër në Shqipëri dhe e masakron 20 vite rresht me kryebashkiakët socialistë. Kështu është kur bie dakord që betoni të varrosë historinë 2700-vjeçare”- shkruan Bylykbashi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos