Raporti i ERRU: Përkeqësohet furnizimi me ujë

Nga A2 CNN
13 Maj 2019, 15:36 | Aktualitet
Raporti i ERRU: Përkeqësohet furnizimi me ujë

Një situatë problematike në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve është ajo që ilustrohet në raportin e Entit Rregullator të Ujit për vitin 2018. Të dhënat tregojnë se furnizimi me ujë të pijshëm është përkeqësuar, ndërkohë që është rritur numri i punonjësve pranë këtyre ndërmarrjeve. Për vitin që lamë pas, mbulimi me ujë u bë për 78,2% të territorit nga 78,3% që ishte shkalla e mbulimit në vitin 2017.

Shqetësues është edhe niveli i humbjeve. E thënë ndryshe, niveli i ujit që derdhet dhe nuk arkëtohet dhe që vlerësohet në 63,4% të totalit. Raporti i Entit Rregullator të Ujit vlerëson se edhe pse me një përmirësim prej 2%, ky tregues mbetet në nivele të larta.

Për vitin 2018 mesatarisht prodhohet 304 litra ujë në ditë për frymë ndërkohë që faturohet vetëm 107 litra. E thënë ndryshe, në çdo 3 litra ujë të lëshuar në rrjet, vetëm 1 litër kthehet në lekë në arkën e ujësjellësve. Në përkeqësim është edhe situata e furnizimit me ujë. Gjate vitit 2018, shqiptarët janë furnizuar mesatarisht me 11,6 orë në ditë nga 12 orë në ditë që ka qenë furnizimi një vit më parë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos