Besimi në ekonomi, ndërtimi e individët optimistë, industria paralajmëron

Nga A2 CNN
7 Shtator 2021, 14:20 | Ekonomi
Besimi në ekonomi, ndërtimi e individët optimistë, industria

Besimi i bizneseve dhe individëve tek ekonomia u rrit lehtë gjatë muajit Gusht, nxitur nga kulmi i sezonit veror, por me një rrezik të ri në horizont dhe diferenca të theksuara ndërmjet degëve të ndryshme të sipërmarrjes.

Sektori i shërbimeve, ku bëjnë pjesë hotelet, restorantet dhe lokalet regjistroi një rritje të kërkesës, duke katapultuar besimin e kësaj dege të ekonomisë në nivelin më të lartë të tre viteve të fundit. Edhe ndërtimi raportoi një ecuri të kënaqshme, nisur nga numri rekord i lejeve të dhëna këtë vit. Teksa në të ardhmen ndërtuesit presin një rritje të çmimeve, në favor të tyre.

Kjo pritshmëri lidhet me faktin që konsumatorët shprehen gati për të bërë blerje të mëdha. Individët e lidhin ardhjen e shtatorit edhe më përmirësimin e gjendjes së tyre financiare dhe heqjen dorë nga kursimi, pikërisht drejt shpenzimeve si blerja e një shtëpia apo një automjeti.

Megjithatë, Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë tregoi rënie të besimit për dy sektorë: atë të industrisë dhe të tregtisë. Kjo e fundit vuajti zhvendosjen e njerëzve drejt plazheve për pushime, por tregtia paralajmëron edhe një rënie të lehtë të porosive për të ardhmen.

Ndërsa industria e lidh rënien e pritshmërive me uljen e kontratave porositëse nga eksportet. Ashpërsimi i masave dhe rreziku i rikthimit të karantinës në shumë vende partnere, i bën prodhuesit shqiptarë pesimistë për prodhimin dhe punësimin në muajt e ardhshëm. Skenar, që nëse do të realizohet, do të zhbënte të gjithë optimizmin e degëve të tjera të ekonomisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos