
Në një lidhje në A2 nga Zvicra, epidemiologu shqiptar, Taulant Muka, foli për nisjen e vitit të ri shkollor, duke komentuar edhe strategjinë e ministrisë.
Muka shprehet se situata duhet parë në aspektin lokal, ndërsa thekson se nevojitet një strategji lokale dhe kombëtare, ndërsa atë të ministrisë e quan një strategji “Facebook”-u.
“Vazhdon trendi rritës në Shqipëri i koronavirusit, e cila mund të nxisë më vonë edhe një përhapje më të gjerë komunitare të infeksionit.
Shqipëria ndodhet në një stad shumë të vështirë dhe nuk është se po bën hapa të mira sa i përket uljes së infeksionit, i cili do të garantonte më pas edhe hapjen e shkollave. Sot po diskutohet edhe mungesa e ujit të rrjedhshëm në shkolla, e jo më të flasim për kushte të tjera.
Situata është komplekse sa i përket vendit tonë, ku duhen parë kushtet për hapjen e shkollave. Gjërat duhen parë në aspektin lokal. Në rast se Gjirokastra nuk ka përhapje komunitare të infeksionit shkollat duhet të fillojnë patjetër, pasi nuk përbën ndonjë problem. Duhet të ketë strategji lokale dhe kombëtare. Më shumë e shoh një strategji “Facebook”-u, sesa një strategji të mbledhjes së ekspertëve, të cilët kryesisht duhet të jenë të fushës së epidemiologjisë, pasi ata analizojnë të dhënat”, u shpreh Muka në A2. (A2 Televizion)