Lufta me Iranin fut në telashe sekretarin amerikan të Mbrojtjes, kërkohet shkarkimi i Pete Hegseth

Nga A2 CNN
10 Nëntor 2026, 07:37 | Bota

Lufta me Iranin fut në telashe sekretarin amerikan të Mbrojtjes,

Një kongresmen republikan planifikon të detyrojë zhvillimin e një votimi në Dhomën e Përfaqësuesve këtë javë për shkarkimin (impeachment) e sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, duke e akuzuar atë për shkelje të Kushtetutës së SHBA-së.

“Duke u përfshirë në armiqësi ushtarake në Iran për më shumë se 90 ditë pa autorizimin e Kongresit, sekretari Hegseth po shkel ligjin dhe duhet të mbajë përgjegjësi”, deklaroi kongresmeni Thomas Massie.

Nisma ka pak gjasa të miratohet, pasi republikanët do të vazhdojnë të kontrollojnë Kongresin deri në janar. Megjithatë, Massie thotë se qëllimi i kësaj përpjekjeje është të ushtrojë presion ndaj presidentit Donald Trump që të zëvendësojë Hegseth, përpara se demokratët të nisin procedurën e tyre për shkarkimin e tij.

Hegseth e ka cilësuar nismën për shkarkimin e tij si një “farsë” dhe ka mbrojtur punën e tij në krye të Pentagonit.

“E shihni, ata më sulmojnë mua. Na sulmojnë ne, sepse ne jemi efektivë”, deklaroi ai në një video-mesazh javën e kaluar. “Kjo nuk do të funksionojë. Ne nuk do të tërhiqemi”.

Ai e cilësoi Massie-n si një “kongresmen të pakënaqur dhe të mundur”, duke shtuar se nuk ishte i shqetësuar për nismën e shkarkimit.

Në video, Hegseth mbrojti drejtimin e tij të Departamentit të Mbrojtjes dhe renditi mënyrat se si, sipas tij, ka përmbushur agjendën e Trumpit “Amerika e Para” (America First).

Massie paraqiti zyrtarisht të hënën pasdite, në seancën plenare të Dhomës së Përfaqësuesve, rezolutën me nenet e akuzës për shkarkimin e Hegseth.

Kjo nismë nis afatin 48-orësh brenda të cilit Dhoma e Përfaqësuesve duhet ta shqyrtojë masën. Ligjvënësit mund të votojnë drejtpërdrejt për rezolutën, ta dërgojnë atë për shqyrtim në një komision ose të vendosin ta lënë mënjanë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos