Rregulli i çuditshëm në Skoci, futbollistëve u ndalohet goditja e topit me kokë para dhe pas ndeshjes

Nga A2 CNN
28 Nëntor 2022, 12:17 | Futboll
Rregulli i çuditshëm në Skoci, futbollistëve u ndalohet

Futbollistët profesionistë në Skoci do të ndalohen të gjuajnë topin me kokë në stërvitje një ditë para dhe një ditë pas ndeshjeve. Klubet gjithashtu kanë marrë udhëzime që të kufizojnë në vetëm një herë në javë stërvitjet intensive të goditjeve me kokë.

Rregullat e reja vijnë pasi Universiteti i Gllasgout realizoi një studim ku tregohej se ish-futbollistët kishin 3,5 herë më shumë mundësi të vdisnin nga sëmundje në tru, sesa njerëzit e tjerë. Sipas ekspertëve, kjo mund të lidhet me goditjen e topit me kokë në mënyrë të përsëritur.

Federata Skoceze e Futbollit i ka miratuar tashmë këto rregulla sa i përket futbollit të të rinjve, ndërsa tani rregullat do të futen në përdorim edhe në klubet profesioniste. Miratimi i tyre është bërë pas konsultimit me 50 klubet profesioniste të meshkujve dhe femrave. Skuadrave u është lënë gjithashtu porosi që të monitorojnë goditjet me kokë në stërvitje, për të minimizuar kontaktet e topit me kokë.

Në fillim të vitit, edhe Federata Angleze e Futbollit miratoi rregulloren e re, sipas së cilës, klubet duhet të kujdeseshin që lojtarët të mos godisnin më shumë se 10 herë fort me kokë topin gjatë stërvitjes. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos