
Kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, tha para deputetëve holandezë se kërkesa e opozitës për qeveri transitore është tërësisht e pabazuar. “Në zgjedhjet e kaluara pati 40 mijë komisionerë dhe gjysmat ishin të opozitës. Për herë të parë nuk pati kontestime dhe askush nuk paraqiti ankesa në kolegjin zgjedhor. Tani, një vit e gjysmë pas zgjedhjeve thuhet se ato u manipuluan pa paraqitur asnjë argument ligjor në Kuvend”, tha Ruçi.
“Kam 3 dekada deputet, gjysmën në opozitë e gjysmën në Kuvend. Kur isha në opozitë kisha vetëm kërkesë kryesore të flisja pas liderit të opozitës. Të vetmin koment që kam për kushtin për largimin e Ramës është se kundërshtari nuk zgjidhet. Ai përballohet me argumente dhe largohet me votë. Sot në Parlament kemi më shumë se 120 deputetë, pra kemi opozitë parlamentare”.
Ndërsa kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ftoi deputetët të miratonin çeljen e negociatave me Shqipërinë: “Hapjen e negociatave e konsiderojmë si proces që duhet ta bëjmë për shqiptarët jo për Bashkimin Europian. Shqipëria është i vetmi shtet ne Ballkan që ka 100% përputhshmëri me politikat e BE. Ftojmë kompanitë e mëdha holandeze të hedhin sytë te nafta jonë”, tha ai.
“Duket se raporti me rekomandimin do jetë A+ , e tha dhe Johannes Hahn. Krenar për çfarë kemi bërë me reformën në drejtësi në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Nuk kërkojmë anëtarësim, vetëm hapje negociatash. Hapja e negociatave është si hyrja në Universitet, nuk është e thënë ta përfundosh”. (A2 Televizion)