
Shtetet e Bashkuara i kanë propozuar Ukrainës të heqë dorë nga pjesë të territorit në këmbim të anëtarësimit në NATO. Këtë e konfirmon vetë presidenti Volodymyr Zelensky. Sipas tij, nëse partnerët ndërkombëtarë do t’i kërkonin Kievit të tërhiqej nga Donbasi në këmbim të garancive konkrete të sigurisë, përfshirë anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Europian, ai do ta çonte çështjen përpara opinionit publik për diskutim.
Deklaratat e presidentit ukrainas janë bërë në Kiev gjatë një bisede me gazetarët dhe janë raportuar nga mediat ndërkombëtare. Mes tjerash, Zelenski theksoi se i ka paralajmëruar amerikanët se Putinit nuk i zihet besë dhe se Rusia po vë bast gjithçka për këtë dimër. Media Nju Jork Tajms, raporton detaje të turit diplomatik të emisarëve të presidentit Donald Trump në Abu Dabi, Kremlin dhe Dublin. Sipas një dokumenti të siguruar nga gazeta amerikane, negociatorët e Rusisë propozuan tërheqjen e NATO-s në pozicionet e para vitit 1997, të modeluara sipas Paktit të Varshavës.
Më herët, media gjermane Bild, raportoi se Putini kërkoi largimin e Finlandës nga NATO, rajoni i baltikut pa baza ushtarake të aleancës perëndimore dhe një Ukrainë neutral. Ndërkohë luftimet vazhdojnë.
Ukraina njofton se Rusia ka lëshuar gjatë natës 96 dronë sulmues, 61 prej tyre me motor reaktiv. Forcat e mbrojtjes ajrore thonë se kanë rrëzuar ose neutralizuar 81 prej tyre, përfshirë 52 dronë Shahed. Por akte lufte ka pasur edhe në anën tjetër të kufirit. Dronë të shumë janë lëshuar në disa rajone, ndërsa është goditur një qendër përpunimi mbetjesh në Samara të Rusisë. (A2 Televizion)