
Rusia ka vendosur të dëbojë diplomaten shqiptare Jonida Drogu. Vendimi i ministrisë së Jashtme ruse erdhi si kundërpërgjigje ndaj palës shqiptare, e cila në 21 janar vendosi të shpallë non grata një diplomat rus nën argumentin se kishte shkelur masat anticovid.
Ky vendim i palës shqiptare është cilësuar si pretekst nga ana e autoriteteve ruse, të cilat kishin paralajmëruar një kundërpërgjigje.
Në një deklaratë publike, ministria e Jashtme Ruse shprehet se ambasadorit të Shqipërisë iu dorëzua vendimi për shpalljen person non grata të sekretares së parë të ambasadës shqiptare në Moskë, Jonida Drogu e cila ka në dispozicion 72 orë për t’u larguar nga Moska.
Kjo vjen disa javë pasi Shqipëria akuzoi një diplomat rus për shkelje të vazhdueshme të kufizimeve të lidhura me COVID dhe më pas e shpalli atë non grata. Moska tha se do t'i përgjigjej "veprimit jo miqësor", të cilin e sheh si një provokim që synon të dëmtojë marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve. (A2 Televizion)