Vokshi denoncon rritjen e infektimit në shkolla: Kam marrë dhjetëra mesazhe nga mësuesit e shqetësuar

Nga A2 CNN
7 Shkurt 2021, 13:02 | Politikë
Vokshi denoncon rritjen e infektimit në shkolla: Kam marrë

Partia Demokratike ka denoncuar situatën e infektimeve në shkolla. Përmes një postimi në facebook, përfaqësuesja demokrate Albana Vokshi është shprehur se ka marrë dhjetëra mesahze nga mësues që janë të shqetësuar për rritjen e infektimeve në shkolla. Sipas saj qeveria nuk ka shpenzuar asnjë qindarkë për sigurinë minimale në shkolla.

‘Këtë javë, kam marrë me dhjetëra mesazhe nga mësues të shqetësuar për rritjen e infektimeve në shkolla. Është dështim kolosal i Edi Ramës që, një vit pas pandemisë, qeveria nuk ka dhënë asnjë qindarkë shtesë dhe nuk marrë masat më minimale të sigurisë në shkolla apo për mësimin online. Mësuesve nuk u bëhet tamponi apo testi serologjik. Në shkolla nuk ka maska, alkool, dezinfektant, termometra. Nuk ka një platformë funksionale për mësimin online. Shkollat nuk kanë internet. Mësues nga Tirana na tregojnë se detyrohen të punojnë nga lokalet përreth shkollave me mjetet e tyre. Shumë nxënës nuk kanë pajisje për të mësuar online, ndërsa ata që jetojnë në zona periferike apo rurale nuk kanë as energji elektrike”.

Përveç kësaj, Vokshi akuzon qeverinë që po u bën presion psikologjik mësuesve me kontrolle abuzive, në një kohë kur nuk u paguan as orët shtesë dhe nuk i trajnon për platformën digjitale.

‘Cinizmi i kësaj qeverie me mësuesit nuk ka fund. Mes kësaj gjendje të mjerueshme, Ministria e Arsimit ka nxjerrë grupe monitorimi për mësimin, përfshi atë online. Nga njëra anë, nuk u paguan mësuesve as orët shtesë, nuk u siguron kushtet minimale, nuk u bën as trajnim për të ashtuquajturën platformë digjitale, nga ana tjetër, përmes kontrolleve të tilla abuzive qeveria shton presionin psikologjik ndaj mësuesve. Kjo është qeveria më e keqe që ka patur Shqipëria. Për vete trefishoi pasuritë, ndërsa nxënësit dhe mësuesit i la në mëshirën e pandemisë. Shpresa e mësuesve, e nxënësve dhe e prindërve të tyre është tek PD. Pas 25 prillit, me rritjen e pagave, me shkollat në standardet europiane, ne do të bëjmë ndryshimin që të gjithë duan!”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos