11 vatra zjarri në vend, Ministria e Mbrojtjes: Situata më problematike në zonat e Dibrës

Nga A2 CNN
30 Gusht 2026, 16:21 | Aktualitet

11 vatra zjarri në vend, Ministria e Mbrojtjes: Situata më

Ministria e Mbrojtjes njofton se 11 vatra zjarri janë raportuar në vend deri në orën 14:00 të së dielës, ku 6 mbeten aktive dhe 3 nën mbikëqyrje.

Situata më problematike paraqitet në zonat e Dibrës, ndërsa në Lundre të Matit është angazhuar edhe një helikopter i Forcës Ajrore.

Sipas Ministrisë aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Ministria e Mbrojtjes - përditësim mbi situatën e zjarreve

Sipas informacionit operacional të përditësuar më 30.08.2026, ora 14:00, në territorin e vendit janë raportuar 11 vatra zjarri, nga të cilat 6 mbeten aktive dhe 3 janë nën mbikëqyrje.

Vatrat aktive evidentohen në Dajt - Tiranë; Vajkal, Sllatinë, Lundre dhe Ballenjë - qarku Dibër; si dhe Rrilë - qarku Lezhë. Në të gjitha rastet raportohet se nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Situata me angazhimin më të konsiderueshëm paraqitet në Sllatinë, ku operojnë 91 forca, dhe në Vajkal, ku janë angazhuar 38 forca të MZSH-së dhe 30 efektivë të FA-së.

Në Lundre, Mat, për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarrit në masivin pyjor të favorizuar nga era, është angazhuar edhe 1 helikopter i Forcës Ajrore.

Në Ballenjë, Martanesh, zjarri është në një zonë të mbrojtur dhe ndërhyrja vështirësohet nga terreni.

Në total, në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 173 forca operacionale, 16 automjete zjarrfikëse, 50 forca ushtarake dhe 1 helikopter i Forcës Ajrore.

Vatrat në Qafë të Helmës, malin e Dardhës dhe malin e Qukësit vijojnë të mbahen nën mbikëqyrje.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos